Mrika Nikçi, fituese e Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2022
Lëvizja FOL edhe këtë vit ka ndarë Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2022, i cili në këtë vit i’u nda Mrika Nikçi.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL tha se është viti i 13-të që FOL ndan këtë çmim në shenjë vlerësimi për personalitetet më të angazhuara në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të njeriut të vendit tonë. “Ndryshimet e mëdha në shoqëri janë produkt i qytetarëve të guximshëm. Në këtë kuptim, emancipimi shoqëror padyshim që fillon nga veprimet e vogla, që transformohen në lëvizje të mëdha”.
Leonora Kryeziu kryetare e Bordit Këshilldhënës të Lëvizjes FOL, tha se përballja me fenomenet e kohës kërkon shtytje titanike për thyerje të tabuve sociale, prandaj duke u bazuar në sfidat aktuale me të cilat shoqëria jonë po përballet, Çmimi për Guxim Qytetar këtë vit i ndahet 21 vjeçares, Mrika Nikçi, për shkak të guximit të treguar me rastin e denoncimit publik të sulmit seksual të bërë ndaj saj.
Mrika Nikçi, tha se uroj të mos ketë asnjë rast si i imi, mirëpo të gjitha rastet duhet bërë publike. “Të gjitha ne, duhet ta dijmë se nuk jemi vetëm. Askush nuk duhet të hesht, edhe nesë ju ka ndodh direkt juve por keni dëgjuar për dikënd ju lutem raportojeni. Në këtë betejë të ne vajzave, ne kemi nevojë për mbështetje ju lutem djemve që të na ndihmojnë”, tha Nikçi.
Alpinistja kosovare Mrika Nikçi në mbrëmjen e 27 shtatorit të këtij viti kishte publikuar një video në rrjetin e saj social Facebook, në të cilën shihen qartë veprimet e një personi duke e sulmuar atë seksualisht në qendër të qytetit të Pejës. Nikçi ka përshkruar edhe gjendjen emocionale në të cilën ndodhej në momentin kur ndodhi sulmi.
Veprimet e Mrikës, përveç që paraqesin guxim qytetar, nënkuptojnë edhe inkurajim të qytetarëve të tjerë për të kundërshtuar dhe për të reaguar publikisht ndaj dhunës dhe veprimeve të tjera të pahijshme. Andaj, Mrika përfaqëson shembullin më të mirë të qytetarit të guximshëm.
Prandaj, parandalimi i dhunës paraqet një kauzë me interes të përgjithshëm publik ndaj të cilës askush nuk mund të qëndroj indiferent. Ky fenomen nuk duhet të shihet asnjëherë si çështje private dhe raportimi i saj duhet të bëhet në të gjitha format.