Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Europian.
Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Përfaqësueses së Lartë e BE-se, Federica Mogherini, në Strasburg më 27 tetor të vitit 2015.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.
Për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje TV Arbëria e ka pyetur ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili është shprehur se “MSA ishte një kontratë me BE-në, me të cilën u zotua se do të ndjekë rrugën e integrimeve evropiane duke përfshirë edhe agjendën e reformave evropiane: forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, stabilitetin politik, ekonomik dhe social, tranzicionin në një ekonomi të tregut etj.
Reformat strukturore në një ekonomi funksionale të tregut po pengohen nga prezenca e lartë e ekonomisë informale dhe trajtimi preferencial i sektorit publik, duke e dëmtuar konkurrencën në treg . Vështirë dhe shumë ngadal po tejkalohen pabarazitë në tregun e punës që cilësohet me hendeqe të thella të pabarazive në mes burrave dhe grave në punësim dhe të rinjve si dhe përfshirjen shumë të ulët të grupmoshave të afta për punë më tregun e punës”, tha ndër tjera ish-kryeministri, Mustafa.
Këtu duhet kujtuar se Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile te përmbushin standardet e BE-së.
Mirëpo, Kosova, mjerisht qëndron prapa çdo vendi në rajon sa i përket agjendës së integrimeve evropiane. Ajo edhe pse ka aplikuar, për t’u anëtarësuar, kjo kërkesë as që është marrë parasysh nga Brukseli dhe ka mbetur në sirtarët e institucioneve të Bashkimit Evropian. Për me shumë vendi ndodhet nën masa sanksionuese çfarë edhe ka ndikuar që të dëmtohet pikërisht puna e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)./TV Arbëria