MSA-ja nuk rrit eksportet e Kosovës drejt BE-së
Ka shumë përfitime që dalin nga Marrëveshje e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për ekonominë e Kosovës, megjithatë rritja e eksporteve kosovare në drejtim të tregut të BE-së është ende larg niveleve të dëshiruara.
Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e titulluar “Rritja e përfitimeve të BE-së” ku u diskutua në lidhje me përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA, por edhe përfitimet në aspektin ekonomik nga kjo marrëveshje.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se kjo marrëveshje përbënë një kornizë mjaft të vlefshme që duhet të shfrytëzohet nga ana e bizneseve të sektorëve të ndryshëm, duke theksuar se pritshmëritë kanë qenë shumë më të larta në kohën kur është nënshkruar.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se arritja e kësaj marrëveshjeje e cila është e para kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian parasheh mes të tjerash fuqizimin e demokracisë, rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare, promovimin e bashkëpunimit rajonal, e poashtu edhe zhvillimin ekonomik.
Po ashtu Hoxha ka thënë se zbatimi i gamës së gjerë të reformave që përfshijnë përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së si dhe rritja e qasjes së bizneseve në tregun evropian janë kyçe në maksimizimin e benefiteve që dalin nga MSA.
Ministrja Hoxha shtoi se institucioni që ajo drejton do të vazhdojë të koordinojë zbatimin e obligimeve që dalin nga zbatimi i MSA-së si dhe Agjendën për Reforma Evropiane duke shtuar se kjo marrëveshje tashmë ka rezultuar në zhvillime pozitive direkte si dhe indirekte duke përmendur rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, investimeve të huaja, dhe të hyrave buxhetore.
Përfaqësuesit e bizneseve që ishin pjesë e panelit folën për sfidat dhe mundësitë me të cilat ata përballen pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dh Asociim (MSA), duke dhënë edhe rekomandimet e tyre lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë institucionet e shtetit për të ndihmuar në informimin më të mirë të bizneseve për përfitimet e MSA-së si dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre.