MSh: 85 mijë vaksina kundër gripit sezonal janë në dispozicion të qytetarëve
Sot ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal për qytetarët e Kosovës.
Lidhur me këtë, Ministria e Shëndetësisë një përgjigje për Telegrafin ka njoftuar se numri i vaksinave në tërë territorin e Kosovës është 85,000.
E në kuadër të kësaj, shpërndarja e tyre është bërë në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Ju informojmë se sasia e vaksinave kundër gripit sezonal është 85,000 vaksina dhe shpërndarja e tyre është bërë në të gjitha QKMF-të në nivel vendi”, ka njoftuar MSh.
Kurse në Komunën e Prishtinës këtë vit vaksinimi do të bëhet në 13 QMF-ja.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se për momentin në stok janë 6,500 vaksina dhe se të planifikuara deri në përmbylljen e procesit janë 11,000 vaksina kundër gripit sezonal.
“Këtë vit vaksinimi kundër gripit sezonal është decentralizuar nga një njësi në 13 QMF. Si rezultat i saj sot nuk është vërejtur grumbullim i qytetareve. Për momentin kemi 6,500 vaksina ne stok, ndërsa të planifikuara janë 11,000 vaksina”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve sidomos personave më të moshuar dhe personave me sëmundje kronike që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.