MSh dhe JICA nënshkruajnë memorandum për grantin për shtretër spitalorë
Në Ministrinë e Shëndetësisë është nënshkruar të martën memorandumi i mirëkuptimit për projektin e zhvillimit të kapaciteteve në institucionet spitalore të Republikës së Kosovës që do të financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Japoneze për Bashkëpunim (JICA).
Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës do të jetë përfituese e grantit të JICA në vlerë prej 1.3 milion euro për të siguruar shtretër spitalor për spitalet e përgjithshme dhe klinikat e QKUK-së.
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, marrëveshja është nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm, dr. Naim Bardiqi dhe nga JICA, udhëheqësi i zyrës për Ballkan, Jiro Takeichi.
Sekretari Bardiqi ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Japonisë për sektorin shëndetësor dhe se pajisjet që sigurohen përmes grantit do të ngrisin cilësinë e shërbimeve spitalore dhe lehtësojnë punën e personelit shëndetësor.