MSh-ja dhe MAShTI përfitojnë projekte në vlerë afër 40 milionë euro
Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), kanë përfituar afër 40 milionë euro nga marrëveshja e projekteve “Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë” si dhe “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes është thënë se këto projekte kapin vlerën 37.2 milionë eurove dhe 2 milionë dollarëve amerikanë financim në formë granti.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projekti i parë ka për qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore publike përmes blerjes së pajisjeve për IKShPK-në dhe ShSKUK-në.
Ndërsa projekti i dyte ka për qëllim rritjen e cilësisë së edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme.
“Listës së nismave e projekteve që po i zbatojmë aktualisht e që për theks kanë mbështetjen për qytetarët tanë sot po i shtohen edhe dy projekte me tri marrëveshje të reja që kanë për synim përmirësimin e ofrimit shërbimeve thelbësore shëndetësore publike dhe atyre të edukimit të hershem. Këto marrëveshje në total kapin vlerën 37.2 milionë eurove dhe 2 milionë dollarëve amerikanë financim në formë granti prej të cilave 18.6 milionë euro janë kredi për financimin e projekti ‘Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë’ si dhe 18.6 milionë euro kredi e 2 milionë grand për ‘Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës. Pra, projekti i parë ka për qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore publike përmes blerjes së pajisjeve për IKShPK-në dhe ShSKUK-në, forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor si dhe ndërthurjes së praktikave me të mira për sigurim të cilës së shërbimeve te ofruara dhe ndërtimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore. Ndërsa projekti i dytë ka për qëllim rritjen e cilësisë së edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, përmes hartimit të legjislacionit dhe krijimit të infrastrukturës adekuate”, ka thënë Murati.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se me këto projekte kjo ministri ka mundësuar ekspertizë profesionale nga ekspertë ndërkombëtarë dhe lokalë në hartimin e ligjeve, shëndetësi, komunikim, por edhe asistencë administrative.
“MSh dhe qeveria tani janë duke punuar në një strategji për e-shëndetësinë”, ka thënë Vitia.
Kurse ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se këto marrëveshje paraqesin një hap të rëndësishme përpara në zhvillimin e sistemit tonë arsimor, forcimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e kujdesit për fëmijët.
Në anën tjetër, drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, ka thënë se me këto projekte synohet të përmirësohet shkollimi i fëmijërisë së hershme.
“Po ashtu do të mbështetën vendimmarrjet në kohë reale, sidomos sektorin që është i rëndësishëm ‘e-shkollimin, sidomos për zhdukjen e analfabetizmit”, ka thënë Paolucci.