MSH-ja e AKK-ja zotohen të mos lejojnë marrëveshje për çmimet e testeve të Covid-19

11 gusht 2020 | 11:18

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, kanë  bërë me dije se institucionet private që janë të licencuara për testime për Covid-19 do të monitorohen dhe nuk do të lejohet ndonjë marrëveshje e çmimeve që do të dëmtojë qytetarët.

Në një konferencë për medie, Zemaj ka thënë se ka rënë dakord që ky proces të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës dhe duke mos lejuar monopol

“U dakorduam të koordinohemi ngushtë që procesi të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës e të mos lejohet monopol. Të gjitha institucionet e licencuara dhe atyre që do të licencohen, u bëhet me dije, që ky proces do të monitorohet nga gjitha autoritetet shtetërore vendimmarrëse. Ne e kemi dërguar kompetencën te institucionet e brendshme te inspektorati dhe IKSHP-ja. Si ministër i Shëndetësisë i kam kërkuar AKK-së që të monitorojë sjelljen lidhur me caktimin e çmimit të këtij shërbimi”, ka thënë Zemaj.

Kurse,  kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka garantuar se ky autoritet do ta mbështesë këtë proces dhe nuk do të lejojë asnjë marrëveshje rreth çmimit të shërbimit të testimit në mes të laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Në takimin lidhur me licencimin e laboratorëve unë i ofrova ministrit Zemaj se AKK-ja do të jetë në gatishmëri të plotë për të mbikëqyrë këtë proces. E dini që nga ditët e para kur ka filluar pandemia, autoriteti i Konkurrencës ka marrë gjitha masat për të parandaluar shkeljet e mundshme të konkurrencës. Gjatë muajit prill ka pasur dyshime për shkelje të konkurrencës në raste me shitje të dezinfektuesve dhe alkoolit. E sapo të kemi diçka të re do t’ju informojmë”, ka deklaruar Prestreshi, duke iu bërë thirrje institucioneve të licencuara që në mënyrë të pavarur të bëjnë caktimin e çmimeve të shërbimeve.

Ministria e Shëndetësisë, të hënën, ka licencuar 29 institucione private për testime për Covid-19.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim…