MSh-ja: Latifi shkoi në ShBA me para të veta
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka demantuar raportimet se ministri i kësaj ministrie, Rifat Latifi, ka shpenzuar mijëra euro nga buxheti i shtetit për vizita në SHBA në gjashtëmujorin e fundit.
Sipas reagimit të MSh-së, Latifi i ka mbuluar me mjete vetanake financiare këto vizita.
“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të shpjegojë publikut se ministri Rifat Latifi vizitën zyrtare në ShBA në muajin maj 2022 e ka realizuar në tërësi me mjete financiare vetanake dhe nuk ka bërë asnjë shpenzim nga buxheti i Kosovës. Gjithashtu, MSh shpreh keqardhje për dezinformatat e dhëna përmes një kronike nga një televizion në Kosovë (T7), e replikuar edhe në portale e media të tjera ( pa asnjë verifikim të lajmit), përkundër se televizionit i është mundësuar qasje në dokumente publike dhe në të dhënat e ofruara është krejtësisht e qartë se ministri gjatë vizitës në ShBA nuk ka shpenzuar asgjë nga buxheti i Kosovës. Ndërlidhja e shpenzimeve nga vizitat në vende të tjera, si gjoja shpenzime ministrit gjatë vizitës në ShBA, janë keqinformim nga mediumi në fjalë”, është thënë në reagimin e MSh-së.