MSh-ja në prag të finalizimit të rishikimit të ligjit për shëndetësi dhe atij për sigurime shëndetësore
Nën udhëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, të mërkurën është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues të Projektit për Shëndetësinë Kosovare.
Projekti i Shëndetësisë Kosovare është projekt i Qeverisë së Kosovës, i financuar nga huamarrja e Bankës Botërore dhe synon përkrahjen e themelimit të shtyllave kryesore për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe forcimin e kujdesit parësor shëndetësor.
Ministri Ismaili ka njoftuar anëtarët e Komitetit për rikonstruktimin e projektit, i cili është bërë me qëllim të adaptimit të aktiviteteve, bazuar në kapacitetet absorbuese të Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Kemi bërë ç’është e mundur që ta kemi projektin në nivelin që është sot. Sot projekti është pjesë përbërëse e planeve dhe aktiviteteve të strukturave përbërëse të Ministrisë dhe Fondit të Sigurimeve”, ka thënë ministri Ismaili, duke shtuar se janë në proces të finalizimit të rishikimit të Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore, që sipas tij do të mundësojnë funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke përfshirë këtu dhe skemën e barnave jashtë-spitalore.
Pjesëmarrës në këtë takim në cilësinë e vëzhguesit ishte dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore Diego Garrido Martin, zyrtar i lartë i operacioneve/zëvendësmenaxher i Bankës Botërore në Kosovë.
Ai ka thënë se mbajtja e këtij takimi është shenjë e qartë e trendit pozitiv në të cilin do të shkojë projekti, duke theksuar punën e madhe të ministrit Ismaili.
“Kemi parë ndryshime shumë të mëdha qëkur ministri Ismaili ka marrë drejtimin e këtij sektori. Nuk kam parë asnjë ministër, i cili i ka kushtuar kaq shumë kohë projektit dhe ka qenë shumë i involvuar me detajet e tij. Këtë rikonstruktim e shohim si trajektore shumë pozitive, prandaj Banka Botërore qëndron gati për të ju mbështetur në çfarëdo mënyre që mundet. Sektori shëndetësor është çelësi për zhvillimin e Kosovës dhe do të jemi pranë jush”, ka thënë Garido.
Ndërkaq ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur në prioritetet e saj edhe shëndetësinë dhe kjo ka ardhur si rezultat edhe i punës dhe angazhimeve maksimale të ministrit Ismaili.
/Epoka e re/