MSh-ja nënshkroi kontratat me OJQ-të për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar sot kontratat me 31 organizata joqeveritare, përfituese të mbështetjes financiare nga thirrja publike për financim të projekteve të OJQ-ve në fushën “Ruajtja dhe Përparimi i Shëndetit”.
Me rastin e nënshkrimit të këtyre kontratave, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, dr. Naim Bardiqi, ka thënë se objektivi i përgjithshëm i thirrjes për propozime ishte realizimi i aktiviteteve që i kontribuojnë ruajtjes dhe përparimit të shëndetit, si dhe forcimi i partneritetit dhe bashkëpunimit me organizatat joeveritare që veprojnë në këtë fushë.
Ai ka theksuar se me rastin e përzgjedhjes së OJQ-ve fituese është zbatuar në mënyrë transparente rregullorja e Ministrisë së Financave Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.
31 OJQ-të fituese do të realizojnë projektet në edukim dhe promovim të shëndetit; përmirësimin e shëndetit të grupeve të cenueshme; rehabilitimin fizikal dhe mendor të grupeve të cenueshme dhe përkujdesjen shëndetësore-ditore jashtë spitalore dhe shtëpiake.
Vlera totale e planifikuar e thirrjes publike ishte 400,000.00 euro, kurse shuma minimale e projekteve individuale ishte 1,500.00 euro dhe ajo maksimale 99,000.00 euro.
OJQ-të kanë pasur mundësi të aplikojnë me më së shumti një projekt në kuadër të thirrjes publike, kurse periudha e zbatimit të projekteve fituese është 6-8 muaj.