MSh-ja nënshkruan kontratë për përcaktimin e hartave zonale për institucionet shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë për “Krijimin e Zonimit në Kujdesin Parësor Shëndetësor” e cila përcakton hartën zonale për institucionet shëndetësore, koordinata të sakta gjeohapësinore, me qëllim që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh).
Kjo, do të mundësojë që në të ardhmen planifikimi, administrimi dhe shpërndarja e burimeve të bëhet në bazë të zonës dhe nevojave për shërbime ndaj qytetarëve.
Fushëveprimi i projektit “Krijimi i Zonimit në Kujdesin Parësor Shëndetësor” përfshin fillimisht katër komuna (Lipjan, Prizren, Istog dhe Prishtinë), me nga pesë Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF).
Pas pilotimit do të vlerësohen rezultatet e projektit në mënyrë që të gjeturat pozitive të aplikohen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Rezultatet nga të dhënat e grumbulluara nga ky pilot-projekt do të mundojnë planifikimin e duhur për shtrirjen në nivel të përgjithshëm, zonimin e KPSh-së që është një prej hapave më të rëndësishëm në reformën për shëndetësinë, në kuadër të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh).
Gjithashtu, në fazën finale është edhe studimi i fizibilitetit për SISh, ndërsa të gjeturat do të analizohen për të krijuar sistemin e integruar të informimit shëndetësorë për të gjithë qytetarët.