MSh-ja nuk i jep qasje në dokumente, Molliqaj publikon letrat

08 nëntor 2021 | 14:42

Ministria e Shëndetësisë (MSh) nuk i ka dhënë qasje Partisë Socialdemokrate (PSD) në disa dokumente që lidhen me lirimin e masave kundër Covidit gjatë kohës kur vendi regjistronte një numër të madh të rasteve të infektuara, përkundër që kanë kaluar 53 ditë nga parashtrimi i kërkesës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka publikuar disa letra të cilat tregojnë kërkesat që kanë parashtruar.

Molliqaj ka thënë se institucionet që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje janë të mbyllura, pasi sipas tij mënyrën e funksionimit e kanë dyshimin dhe shohin rrezik gjithandej.

“Ligji për qasje në dokumente publike detyron Ministrinë e Shëndetësisë që një gjë të tillë ta bëjnë brenda një afati 7-ditor. Ata patjetër se janë në shkelje të ligjit. Por, mungesa e transparencës është simptoma e parë për një problem që po zihet brenda. Paaftësinë dhe paranojën nuk po e fshehin dot. Se çfarë po ruhet nga fshehja e informacionit do ta ndjekim deri në fund”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Bunker – qeveri

Paaftësi dhe paranojë. Ky është kombinim fatal. Institucionet që qeverisen nga LV janë të mbyllura sepse mënyrë funksionimi e kanë dyshimin dhe shohin rrezik gjithandej. Por, jo rrallë gjërat mbesin pezull nga mungesa e kompetencës.

Paranoja sjell bunkerizim, paaftësia pezullim e mungesë pune. Qeveria dhe Kuvendi janë të bunkerizuara, por edhe tejet të ngathëta. Ja shembujt konkret:

1. Kanë kaluar 53 ditë ç’prej se kemi dorëzuar kërkesën për qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë. Vendimi i datës 12 gusht për lirim të masave të pandemisë në vlugun e infektimeve duhet të zbardhet. Për këtë duhet ta dimë rekomandimin e IKShPK-së. Ministria po hesht.

2. Kanë kaluar 33 ditë prej se i kemi dorëzuar në Komisionin për Peticione plotësimet e kërkuara nga KQZ-ja lidhur me Peticionin për faljen e gjobave të pandemisë. Edhe këtu asnjë përgjigje.

Ligji për qasje në dokumente publike detyron ministrinë e shëndetësisë që një gjë të tillë ta bëjnë brenda një afati 7-ditor. Ata patjetër se janë në shkelje të ligjit. Por, mungesa e transparencës është simptoma e parë për një problem që po zihet brenda. Paaftësinë dhe paranojën nuk po e fshehin dot. Se çfarë po ruhet nga fshehja e informacionit do ta ndjekim deri në fund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet polake u ndeshën sot ( 8 nëntor) me një…