MSh-ja thotë se po bëhen manipulime me dokumente rreth rastit të 26-vjeçarit nga Gjilani
Ministria e Shëndetësisë (MSh), ka vlerësuar janë duke u bërë manipulime në publik me dokumente rreth rastit të të ndjerit me inicialet A.M., i cili ka ndërruar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
MSh-ja bërë me dije se posedon raportet mjekësore të të ndjerit, të përpiluara nga mjekët.
“Për më tepër, MSh e ka edhe raportin me shkrim të profesionistit shëndetësor që e ka vizituar pacientin, të vërtetuar edhe përmes faksimilit mjekësor në të cilin, thuhet se pacienti nuk ka raportuar dhe as treguar për ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor”, është thënë në reagimin e MSh-së.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ministria e Shëndetësisë posedon raportet mjekësore të të ndjerit, të përpiluara nga mjekët në pritje që për shkaqe të etikës mjekësore dhe ruajtjes së privatësisë nuk do ta bëj publik, ku gjatë marrjes së të dhënave anamnestike, në praninë e mjekut përgjegjës, me rastin e mbërritjes në Kosovë, i ndjeri nuk ka raportuar asnjë lloj sëmundjeve apo shqetësim shëndetësor.
Për më tepër, MSh e ka edhe raportin me shkrim të profesionistit shëndetësor që e ka vizituar pacientin, të vërtetuar edhe përmes faksimilit mjekësor në të cilin, thuhet se pacienti nuk ka raportuar dhe as treguar për ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor.
Po ashtu, profesionisti shëndetësor e ka konfirmuar edhe “post factum” se i ndjeri gjatë kontrollimit mjekësor nuk ka deklaruar asnjë problem apo vërtetim shëndetësor.
Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ripërsërit se ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të bëjë hetim të plotë rreth këtij rasti, ndërkohë që kërkon gjithashtu në të njëjtën kohë edhe hetim ndaj atyre që duke manipuluar me dokumente që nuk janë lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, po keqpërdorin tragjedinë e një të riu për qëllime të ulëta.