MSh-ja tregon kur do të rriten pagat në sektorin shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë (MSh) përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se është duke e përcjell me vëmendje grevën e punonjësve shëndetësorë dhe ka theksuar se gjatë këtij viti ka punuar për kërkesat e tyre.
“Për këtë qëllim, është punuar në Projektligjin për pagat në sektorin publik, të cilin e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të njëjtin e ka dërguar në Kuvend. Tani, MSh-ja pret të miratohet buxheti për vitin 2019 dhe t’i hapet rruga për kalim në Kuvend edhe Projektligjit për pagat në sektorin publik. Me buxhetin për vitin 2019 parashihet rritja e pagave në sektorin shëndetësor”, është bërë me dije në njoftimin e MSh-së.
“Krahas angazhimeve të tjera, në këto momente duhet të mendojmë dhe të kujdesemi edhe për gjendjen dhe trajtimin korrekt të pacientëve tanë, duke u angazhuar njëkohësisht që të sigurohet më e mira edhe për profesionistët shëndetësor të gjitha niveleve. MSh konsideron se të gjitha problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe dialogut social”, është thënë në njoftimin e MSh-së.
/Epoka e re/