MSh lansoi edhe tre udhërrëfyes klinik për menaxhimin e sëmundjeve jongjitëse
Në kuadër të procesit për zhvillimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, Ministria e Shëndetësisë, me përkrahjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, ka lansuar sot tre udhërrëfyes të tjerë klinikë për Kujdesin Parësor Shëndetësor: Udhërrëfyesin për menaxhimin e Hipertensionit arterial; Udhërrëfyesin për menaxhimin e Astmës bronkiale dhe Udhërrëfyesin për menaxhimin jo-farmakologjik të sëmundjes së diabetit.
Në emër të ministrit Uran Ismaili dhe Ministrisë së Shëndetësisë, sekretari i përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi ka falënderuar SDC që përmes Projektit të AQH-së-së për ofrim të shërbimeve të qasshme dhe cilësore në sektorin e shëndetësisë, ka ofruar përkrahjen e tyre edhe në publikimin e këtyre tre udhërrëfyesve për KPSh-në, sikurse edhe Qeverinë e Luksemburgut dhe UNFPA-në për mbështetjen e tyre në procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike për nivelet e tjera të Kujdesit Shëndetësor në Kosovë.
“Nevoja për udhërrëfyes dhe protokolle klinike është një nga çështjet prioritare në sektorin e shëndetësisë. Përmes procesit të përcaktuar me kritere qartë të definuara, është bërë priroritizimi i fushave për hartim të këtyre dokumenteve, me theks të veçantë në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës dhe shëndetit riprodhues dhe kujdes parësor shëndetësor. Në këtë kontekst është bërë edhe adaptimi i udhërrëfyesve klinik të cilët pas hartimit nga ana e grupeve të profesionistëve shëndetësorë dhe pas procedimit nëpër të gjitha fazat e përcaktuara, janë aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Bardiqi.
Ai ka thënë se ky është vetëm hapi i parë në këtë proces i cili duhet të vazhdohet intensivisht me zbatim të tyre në praktikën e përditshme të profesionistëve shëndetësorë. “Kërkoj nga të gjithë profesionistët shëndetësorë tek të cilët gjejnë zbatueshmëri këto dokumente të ofrojnë shërbime shëndetësore bazuar në udhërrëfyes dhe t’i shfrytëzojnë ato në punën e tyre të përditshme”, ka thënë Bardiqi.
Zëvendësdrejtori i SDC për Kosovë, Bernhard Soland, ka thënë se sëmundjet jongjitëse si hipertensioni dhe diabeti janë një problem global që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e të prekurve dhe familjeve të tyre.
Projekti AQH, theksoi ai, ka zhvilluar pakon e shërbimeve për diabet dhe hipertension që kanë për synim përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
/Epoka e re/