MSH: Udhëzimi i ri Administrativ përcakton afatin e hyrjes në fuqi të vendosjes të fotografive dekurajuese në paketimet e duhanit
Duke u përgjigjur kërkesave të industrisë së duhanit dhe Odave Ekonomike, Ministria e Shëndetësisë ka proceduar me plotësim-ndryshimin e UA për Vërejtjet e kombinuara me qellim të ndryshimit të afatit prej kur produktet e duhanit që hyjnë në tregun e Kosovës dhe qarkullojnë duhet t’i kenë të vendosura vërejtjet me fotografi dekurajuese në këto produkte, kanë thënë për Epokën e Re nga Ministria e Shëndetësisë (MSH).
“Afatin e përcakton UA i ri që pritet të miratohet së shpejti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për gazetën.
Kjo do të thotë se kërkesat e industrisë dhe Odave Ekonomike për shtyrjen e afatit të fillimit të UA janë aprovuar.
Përfaqësuesit e industrisë së duhanit, përmes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatës së duhanit kanë përkrahur UA por kanë kërkuar që të shtyhet afati i implementimit, pasi që, sipas tyre nuk është dhënë kohë e mjaftueshme që ato të kryejnë procedurat e nevojshme për të siguruar implementimin e tij.
Kohë më parë MSH për media ka konfirmuar që kanë pranuar kërkesa nga industria e duhanit për shtyrje të afateve të implementimit gjatë konsultimit publik, por edhe pasi Udhëzimi Administrativ ka hyrë në fuqi.
Edhe më parë gazeta nga burimet e veta në MSH ka pas informata se ekziston gatishmëria që të aprovohet kërkesa për shtyrje të implementimit të UA.
Ndryshe Udhëzimi Administrativ për vërejtje të kombinuara i cili ka hyrë në fuqi në tetor të vitit të kaluar parasheh që nga prilli i këtij viti të gjitha pakot e duhanit që importohen të kenë të vendosura imazhet dhe mesazhet dekurajuese, e që nga tetori i këtij viti të gjitha pakot në tregti me pakicë t’i përmbajnë këto fotografi.
Në Odën Ekonomike të Kosovës kanë përsëritur që nuk e kundërshtojnë këtë udhëzim, mirëpo kanë dhënë sugjerime lidhur me nevojën e kohën shtesë që i duhet industrisë së duhanit për implementimin e tij.
Njëkohësisht në Qendrën për Avokim dhe Zhvillim kanë thënë se koha që u është dhënë industrive të duhanit për ndryshimet në pakot e duhanit është e mjaftueshme dhe se nuk duhet të ketë shtyrje të implementimit të UA.
Në këtë Qendrën theksojnë se në bazë të praktikave nga vendet tjera afati i përcaktuar me UA është i mjaftueshëm, pasi që sipas tyre, për shembull Turqia ka përcaktuar një periudhë kalimtare prej vetëm 4 muajsh për prodhim, importim e distribuim, dhe 10 muaj afat për qarkullim në treg me pakicë.
Ata kanë përmendur edhe rastet e Francës dhe Kanadasë si argument se afati i përcaktuar nga MSH është i mjaftueshëm. /Sadik Zeqiri/