MTI-ja finalizon ndarjen e subvencioneve për gratë ndërmarrëse
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëfinancimit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, që udhëhiqen nga gratë ndërmarrëse.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka theksuar me këtë rast se gratë ndërmarrëse në vazhdimësi kanë dëshmuar se dinë të menaxhojnë jo vetëm me familjet e tyre, por dinë të bëjnë edhe biznes, si dhe të administrojnë me institucionet publike.
Krasniqi ka thënë se dhënia e subvencioneve në këtë pjesë të fundvitit përkon me fushatën e mbështetur nga institucionet publike dhe shoqëria civile “16 ditët e aktivizimit”.
“Gjithashtu kjo fushatë ka për qëllim rritjen e vetëdijes mbi të drejtat dhe barazinë gjinore, ngritjen e informacionit në të gjitha nivelet, krijimin e partneritetit midis institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, vetëdijesimin e popullatës për pasojat e dhunës, inkurajimin për të informuar për çdo padrejtësi, si dhe parandalimin dhe zhdukjen e kësaj dukurie në shoqërinë tonë”, ka potencuar ministri Krasniqi.
Ai ka theksuar se edhe në MTI çështja e barazisë gjinore, vit pas viti ka avancuar duke ndikuar në rritjen e punësimit apo gjetjes së hapësirës edhe për gjininë femërore.
Sipas tij, në kuadër të këtyre aktiviteteve dhe në mbështetje të grave ndërmarrëse, MTI-ja përkatësisht agjencia e KIESA-s këtë vit kanë mbështetur 32 biznese, që i udhëheqin gratë ndërmarrëse.
Ministri Krasniqi potencoi po ashtu se në buxhetin e vitit 2021 është paraparë rritja e buxhetit sa i përket subvencioneve për gratë ndërmarrëse, derisa kanë kërkuar mbështetje edhe më të madhe nga Banka Botërore për këtë qëllim.
Në fund të ceremonisë, drejtori i Departamentit për Përkrahjen e Sektorit Privat, Arbër Muhaxheri nënshkroi marrëveshjet me disa biznese, të përfaqësuara nga gratë ndërmarrëse.