Ministria e Infrastrukturës financon ndërtimin e rrugës Miradi e Epërme – Zona Industriale në Fushë Kosovë
Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), pas një takimi me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berisha, të enjten ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me këtë komunë, për mbështetje financiare në rikonstruimin e rrugës Miradi e Epërme – Zona Industriale.
Për këtë vit MIT-ja ka ndarë 130.000 euro për realizimin e këtij projekti, kurse për dy vitet në vijim për këtë projekt janë planifikuar edhe 400.000 euro të tjera në mënyrë që projekti të përmbyllet në tërësi.
Lekaj e Berisha kanë biseduar edhe për disa projekte të përbashkëta që mund të realizohen me bashkëpunim mes komunës dhe ministrisë.
Ministri Lekaj, duke i ofruar mbështetjen e pa rezervë kryetarit Berisha, ka thënë se edhe kjo komunë sikurse të gjitha tjerat do ta ketë përkrahjen e dikasterit që ai drejton në realizimin e projekteve lokale në mënyrë që t’i shërbehet interesit të qytetarëve dhe që ata t’i përfitojnë benefitet e taksave të tyre, si kthim nga qeverisjet lokale e qendrore.
Ndërsa kryetari Berisha e ka falënderuar ministrin Lekaj për këtë mbështetje dhe shtoi se iniciativa për mbështetje të projekteve lokale nga MIT-ja është veprimi më i duhur dhe më i qëlluar që shkon në shërbim të qytetarëve.
/Epoka e re/