MTI-ja ndan 500 mijë euro për zonën ekonomike në Lipjan
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, për financimin e Zonës Ekonomike, në vlerë prej 500 mijë eurosh.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka parapa 500 mijë euro për këtë fazë të ndërtimit të Zonës Ekonomike në Lipjan, ndërsa Komuna e Lipjanit ka participuar me një shumë simbolike prej 50 mijë eurosh.
Kjo zonë ekonomike parashihet të kushtojë 2.8 milionë euro, ku deri më tani janë financuar mbi 1 milion euro.
Ministri Shala ka deklaruar se ky memorandum, mundëson bashkëfinancimin e zonës ekonomike të Lipjanit duke kryer procedurat e ndërtimit.
“MTI-ja është zotuar se do të nisë të gjitha procedurat për ndërtimin e infrastrukturës në këtë zonë ekonomike që të jetë funksionale për bizneset të cilat do të akomodohen në këtë zonë dhe që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit”, k thënë Shala.
Ai po ashtu, u shpreh se ministria të cilën e drejton është e përkushtuar në dy fusha për përkrahjen e bizneseve.
“Në krijimin e infrastrukturës ligjore dhe përmirësim të kushteve të të bërit biznes në Kosovë, si dhe në përmirësimin e kushteve fizike apo infrastrukturës që bizneset ta kenë më të lehtë operimin dhe funksionimin”, theksoi Shala.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti theksoi se e rëndësishme është vazhdimi i ndërtimit të zonës ekonomike, e cila do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e afarizmit në këtë komunë.
“E rëndësishme është që po vazhdohet ndërtimi i Zonës Ekonomike, që do të krijojnë mundësi të reja për ta zhvilluar afarizmin. E falënderoj shumë ministrin Shala që ka mundësuar financimin e kësaj zone ekonomike”, u shpreh Ahmeti.