MTI-ja obligon kompanitë që shesin derivate t’i pastrojnë rezervarët çdo tri vjet
Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar sot Udhëzimin Administrativ që obligon kompanitë që shesin derivate t’i pastrojnë rezervarët çdo 3 vjet.
Shala ka thënë se kjo po bëhet për herë të parë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.
“Për herë të parë do të pastrohen rezervarët e pompave të derivateve në Republikën e Kosovës me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit. Para disa jave kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ me të cilin obligohen kompanitë që tregtojnë derivate në tregun tonë t’i pastrojnë rezervarët e derivateve çdo 3 vjet”, u shpreh Shala.
Ai ka bërë të ditur se ka pasur shumë ankesa për cilësi të naftës, por tashmë secila kompani që kërkon të licencohet duhet t’i pastrojë rezervarët.
“Për 20 vjet rresht në Kosovë kemi pasur ankesa për cilësinë e naftës, jemi sfiduar për kontroll të kualitetit, por asnjëherë deri tani nuk kemi obliguar kompanitë që t’i pastrojnë rezervarët në të cilat mbajnë këto derivate. Tashmë secila kompani që licencohet për tregti me derivate do ta ketë edhe njërin nga kriteret kyçe pastrimin e rezervarëve, duke e mbrojtur konsumatorin. Pastrimi do të bëhet në përputhje të plotë me standardet evropiane duke rritur edhe kualitetin në tregun vendor”, tha Shala duke shtuar se në kuadër të kësaj parashohin edhe hapa tjerë me qëllim të rritjes së cilësisë, kontrollin e tregut, rritjen e të hyrave për shtetin me synimin e vetëm, mbrojtjen e konsumatorit”, tha Shala.