MTI-ja shpalli top ndërmarrjet e vitit
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka shpallur të enjten top ndërmarrjet e vitit 2018.
Mirënjohjet u ndanë nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala në bazë të regjioneve të Kosovës.
Ministri Shala ka thënë se një gjë e tillë organizohet çdo vit, me qëllim që të sado pak bizneseve t’u jepet përkrahje dhe moral për punën dhe angazhimin e tyre që bëjnë në vendin tonë.
“Kjo është vetëm një simbolike krahasuar më atë që meritoni si komunitet i biznesit. Shpërndarja e këtyre mirënjohjeve është kontribut i asaj që ju keni dhënë në mirëqenien tonë, punësim, teknologji, inovacione dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, ka deklaruar Shala.
Ministri ka treguar se në kuadër të MTI-së përmes njësisë së saj, Agjencisë KIESA zhvillohen edhe disa projekte tjera që përkrahin fuqizimin e prodhimit vendor.
Shala ka përmendur veprimtaritë që do të përkrahen nga MTI-KIESA: Subvencionimit të makinerive prodhuese, skemat për certifikim të produkteve, përmes së cilave produktet e juaja do të certifikohen dhe të pranohen ndërkombëtarisht, gjatë vitit 2019 kjo do të përkrahet nga projekti i Bankës Botërore, skemat për këshillim, po ashtu edhe kjo gjatë vitit 2019 kjo do të përkrahet nga projekti i Bankës Botërore.
Ministri Shala i ka inkurajuar bizneset që t’i përcjellin aktivitetet e MTI-së dhe të aplikojnë për të qenë pjesë e tyre.
/Epoka e re/