Muaj i goditjeve të mëdha, muaj trishtues!
Ylber Çitaku
Edhe pse muaji qershor deri në mbarim ka edhe një javë të plotë (javë kjo që mund të sjell goditje të cilat nuk e befasojnë më qytetarin e këtij vendi) me të vërtetë ishte trishtues për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, ishte një periudhë e goditjeve të mëdha në Kosovë; goditjet filluan me miliona euro të kontrabanduara nga Ministria e Infrastrukturës për kompaninë “Bechtel Enka”.
Javët e para të muajit qershor u përcollën edhe me goditje fatale të aksidenteve në komunikacion.
Goditja e radhës gjatë këtij muaji ishte ndarja nga jeta e legjendës së futbollit, të madhit Fadil Vokrri, ku të gjithë u ndiem keq për humbjen e Vokrrit, e keqardhja shtohej edhe për faktin se ishte ende i ri, ishte njeri shumë pozitiv, ishte …, në fund të fundit na la edhe keq, thjesht FFK-ja dhe sporti kosovar në përgjithësi ka pasur ende shumë nevojë për Vokrrin.
Goditje tjetër ishte edhe varrosja e një vajze në të njëjtën ditë në të njëjtat varreza, kjo vajzë e re e cila nga një vend perëndimor erdhi në Kosovë për të takuar familjarët (siç u bë e ditur familjarët nuk e pranuan) varrimi i të ndjerës u krye me ceremoni e rite fetare por pjesëmarrës në varrim ishin vetëm dy hoxhallarë dhe avokatja, humanistja Miftari – Kloppner.
Ishin javë këto ku dheu mori: miliona euro, legjendën e futbollit z. Vokrri, së paku 6 viktima të trafikut por edhe një vajzë anonime!
I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës që të gjithëve, madje edhe lekëve!
Çdo fund e ka edhe një fillim, nëse këto ditë dhe javë ishin tragjike, së paku në vazhdim tragjikes iu shtua edhe komikja, u shënua 140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, lidhje kjo për të cilën sa herë që është folur e sa herë na është kujtuar, para syve tanë ka dalë shtëpia e vjetër e Lidhjes së Prizrenit si dhe personalitete e pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme për kombin tonë, por tash e tutje sa herë të përmendet Lidhja e Prizrenit pashmangshëm besoj që në mendjen e secilit nga ne e para syve tanë do të na dalë mbesa e Mehmet Derallës dhe kryeministri i Kosovës duke e tërhequr dhunshëm zonjën në fjalë!
Talljet e kryeministrit të Kosovës me qytetarët dhe shtetin nuk kanë të ndalur, miliona të kontrabanduara gjoja penallti për “Bechtel Enka”-n, shpikja e pozitave “Koordinatorë” si dhe rritja e pagave për veten dhe njerëzit rreth tij janë qershia në tortën e Fitër Bajramit që sapo e festuam.
A ka birë nane, a ka birë k…. siç thotë Edi Rama, që i del para këtij kryeministri të shthurur!
Goditjet dhe tallja e kryeministrit me qytetarët po edhe me partnerët e tanishëm por edhe me ish-partnerët nga opozita nuk kanë të ndalur, ja tri raste konkrete kur goditet partneri i madh i koalicionit PDK-ja, ministri Hamza, prof. dr. Blerim Rexha, marrja e fjalës dhe piskatje (sikur kalit në pllug) ndaj ministrave dhe zëvendësministrave të PDK-së.
Një prej ministrave më popullor në Qeverinë Haradinaj është ministri Bedri Hamza, por siç shihet edhe me syrin e lirë z. Hamza është halë në sy për kryeministrin, madje kryeministri lëshohet edhe në komentimin e qëndrimit individual të z. Hamza lidhur me pagat duke deklaruar se nuk është burrni që nuk e pranon pagën me rritje, pavarësisht kësaj qytetari i thjesht e vlerëson ministrin Hamza që e respekton vendimin e gjykatës kushtetuese, por do ta vlerësonte edhe më shumë sikur të thoshte se gjykata kushtetuese ka të drejtë në vendimin e saj, por si ministër i Financave vendimin e zbatoj vetëm pas miratimit të ligjit për pagat.
Sa i përket z. Rexha ai me një status në “Facebook” në mënyrë krejt të thjesht i tregoj kryeministrit se hajninë nuk e ka sjellë nga Austria, kjo u dëshmua për të satën herë vetëm pak muaj më vonë me rastin e 53 milionëve të ministrit Lekaj, ministër që nuk është asgjë tjetër vetëm argat i kryeministrit.
Sa i përket talljes dhe arrogancës së kryeministrit me ministrat dhe zëvendësministrat e PDK-së kjo nuk do koment, që thotë fjala popullore “e ka gjetur shtegun e thyer”, disa nga anëtarët e kabinetit qeveritarë të gjendur në këtë përbërje të kabinetit aksidentalisht, sigurisht që nuk e kanë as guximin e as kapacitetet t’’ kundërvihen veprimeve e vendimeve të një kryeministri të shthurur.
Kushdo që mendon se kryeministri Haradinaj është naiv gabohet, ai e ka kuptuar që edhe përkundër të gjitha këtyre shkeljeve, talljeve dhe përbuzjeve të qeverisë në raport me qytetarët, partnerët dhe opozitën konsekuenca nuk ka edhe për faktin se opozita është edhe më e shthurur se sa vet kryeministri dhe Qeveria, rrjedhimisht rreziku nuk ekziston.
Opozita si tërësi nuk arrin të artikuloj as edhe një qëndrim të vetëm, qoftë ai qëndrim lidhur me dialogun me Serbinë, ose qëndrimin për shkeljet e njëpasnjëshme të Qeverisë apo qëndrimin lidhur me dyfytyrësinë e z. Haradinaj në lidhje me demarkacionin.
Lideri opozitar z. Isa Mustafa me probleme shëndetësore, me një LDK në pritje të individëve për ta marrë lidershipin e partisë duke harrur interesin për zhvillimet në vend.
Një LV ende e dërmuar nga çarja e madhe dhe tendenca për tranzicion, çarje kjo që nuk mund të tejkalohet lehtë edhe për faktin se kjo ka ardhur edhe si rezultat i ca dukurive ende tabu për një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare, si çështjet e tresheve, barit e vijat, kurse sa i përket tranzicionit me kollare e takime me ambasadorë e diplomat perëndimorë nevojitet kohë, periudhë kohore kjo e përafërt me një dekadë.
Sigurisht që PSD-ja si pjesë e opozitës nuk mund të nënvlerësohet s’paku nëse merren parasysh numrat. PSD-ja me kryetar Shpend Ahmetin i cili me një këmbë qëndron në pozitën e kryetarit të PSD-së e me tjetrën në pozitën e kryetarit të Prishtinës, nuk mund t’i ik thënies popullore “As me shehër as me Barilevë” aq më tepër kur të dy këto këmbë duket se janë krejt të qelqta.
Mbështetur në fjalën popullore “Shpresa vdes e fundit” ne qytetarët e këtij vendi po shikojmë Kampionatin Botëror, me shpresë se fiton KY ose AI, por ne sigurisht që jo!
Pas Kampionatit Botëror fillojnë edhe pushimet verore, të molisur nga vapa e të dremitur si në ëndërr, do ta kuptojmë goditjen e radhës që do të na vjen nga Qeveria – kryeministri.
Krejt në fund shtrohet pyetja: a meritojmë më mirë!?