Muaji mars, muaj i sakrificës drejtë lirisë
Shkruan: Haxhi Shala
Muaji Mars në Kosovë njihet si muaj i sulmeve dhe kthesave historike për Shqiptarët e Kosovës. Pas shembullit që kishte dhënë familja Jashari në Prekaz me datat 5-7 Mars 1998, ka qenë po i njëjti muaj, me datën 24 Mars, kur Dukagjini në fokus Gllogjani, u rrethua nga forcat serbe dhe caku i tyre kryesor ishte familja e Ramush Haradinajt. Për fat të mirë Ushtria e Haradinajt ishte e mobilizuar aq fort sa që forcat serbe kishin hasur vështirësi në atë betejë, duke u larguar si humbës, dhe kjo pavarësisht artilerisë apo mjeteve të forta luftarake që kishin serbët.
E njëjta datë por një vit më vonë, pra më 24 Mars 1999, pas urdhrit të Presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton, fillon operacioni ushtarak i Aleancës Euroatlantike (NATO), bashkë me përkrahjen e Ushtrisë së Kosovës, për të bombarduar dhe dëbuar forcat ushtarake të Millosheviqit, deri më datën 9 Qershor të po të njëjtit vit kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës. Kapitullimi përfundimtar i Millosheviqit për t’i larguar forcat e tij nga Kosova ndodhi vetëm dy ditë më vonë.
Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë dhe më gjerë dhe mu për këtë arsye dhe pozicionit të saj në Ballkan, shpesh Kosova bëhet pjesë e politikave dhe zhvillimeve gjeostrategjike të mëdha nëpër Botë. Prandaj qëndrimet e fundit të SHBA-së karshi Kosovës kanë një prapavijë për të cilën Kosova duhet ta mendojë mirë dhe t’i zhvillojë ato më maturi politike.
Lavdi dëshmorëve të kombit të rënë për liri,
Përherë mirënjohës shteteve mike të Kosovës, respektivisht Aleancës Euroatlantike, dhe ushtarëve të tyre të rënë gjatë këtyre bombardimeve.