Mufail Limani zgjedhet ushtrues detyre i drejtorit të RTK-së
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) në mbledhjen e mbajtur të martën ka zgjedhur ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mufail Limanin.
Në njoftimin për medie të Bordit të RTK-së, është bërë me dije se këtë funksion Limani do ta ushtrojë deri në zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të RTK-së, por jo më shumë se gjashtë muaj, ashtu siç është e përcaktuar me statutin e RTK-së.
“Një vendim të tillë, Bordi i RTK-së e ka marrë duke u bazuar në kompetencat e tij të përcaktuara me Ligjin dhe Statutin e RTK-së. L
imani do ta ushtrojë detyrën e drejtorit të përgjithshëm duke filluar nga data 28.01.2019, pasi drejtorit aktual, Mentor Shala, i skadon mandati më 27 janar 2018”, është thënë në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Mufail Limani deri më tani ka ushtruar pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
/Epoka e re/