MUHABI NEZIRI: NJË JETË NË SHËRBIM TË LIRISË DHE ARSIMIT
(Bastisje, ndjekje, burgosje, largim nga arsimi pa të drejtë punësimi ndaj Muhabi Nezirit)
Shkruan: Ismet Rashiti
Nuk është aspak e lehtë të shkruash për atdhetarin, Muhabi Neziri. Pothuaj është e pamundur të përfshihet në një shkrim gazete tërë veprimtaria e këtij atdhetari të përkushtuar për Pavarësinë e Kosovës. Këtë mesiguri nuk do ta përmbushë si duhet as lapsi dhe përvoja ime e gjatë gazetareske. Sidoqoftë, do të përpiqem të përmbledh disa nga momentet kryesore të jetës dhe veprës së Muhabi Nezirit.
Ai lindi më 16 shkurt 1955 në fshatin Sllatinë e Poshtme, komuna e Vitisë, në një familje përparimtare nga babai Elmiu dhe nëna Sabrije. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmën në Viti dhe Kaçanik. Edukata familjare dhe sidomos oda e njohur e familjes Neziri kishin ndikuar në formimin e tij si njeri, atdhetar dhe arsimdashës. Që në fëmijëri, ai ishte fort i lidhur me vendlindjen, fushat dhe bukuritë e saj, të cilat në çdo moment i kujtonte dhe merrte frymë me to, kudo që ishte. Pjesë e pandarë e tij ishte atdhedashuria, liria, emancipimi dhe përparimi i vendit. Me kënaqësi të madhe mësonte e lexonte për heronjtë dhe luftëtarët e lirisë, i interesonte historia kombëtare dhe padrejtësitë që i ishin bërë popullit shqiptar, duke i ndarë, copëtuar dhe robëruar më shumë se gjysmën e territoreve.
Për një kohë të gjatë, oda e vëllezërve Neziri ishte shndërruar në një bibliotekë fshati, ku këmbeheshin libra të ndryshëm. Bisedohej për jetën, kulturën, arsimin dhe traditën e mirë shqiptare. Me një fjalë, rinia sllatinase, në këtë odë tipike shqiptare, gjente frymëzim për një të ardhme më të mirë. Po në këtë odë gjenin mikpritjen dhe bujarinë shqiptare, njerëz të halleve të ndryshme. Duke ecur nëpër kohë, oda e familjes Neziri ishte shndërruar në një bazë të ilegales dhe luftës çlirimtare, ku hynin dhe dilnin atdhetarë të shumtë nga anë të ndryshme.
I brumosur me ide përparimtare e arsimdashëse, Muhabi Neziri e mbaroi me sukses Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Gjatë kohës së studimeve, lexonte jashtëzakonisht shumë dhe mbante kontakte me njerëz liridashës. Si student i historisë, gjatë viteve 1976-1977 u kyç në lëvizjen e fshehtë së bashku me Hamdi Berishën nga fshati Gurbardh (ish-Carravranë) i Malishevës dhe Arif Kabashin nga fshati Qifllaku i Rahovecit. Gjatë kësaj periudhe lexonte me pasion të madh dhe shpërndante literaturë si “Lajmëtari i lirisë”, “Liria”, “Bashkimi”, “Zëri i Kosovës” dhe libra nga Shqipëria, të cilat gjatë asaj kohe ishin të ndaluar.
Në vazhdën e këtyre veprimtarive atdhetare, është me interes të përmendet se, nën drejtimin e Hamdi Berishës, në gusht të vitit 1979, organizuan grupin e parë për vizitë 15-ditore në Shqipëri. Një vit më vonë, në gusht të vitit 1980, me ndërmjetësimin e Muhabiut, Xhemajl Arapi nga fshati Sllatina e Epërme, poashtu në bashkëpunim me Hamdi Berishën, organizuan grupin e dytë për vizitë 15-ditore në Shqipëri, kujton Muhabiu. Dashuria për kombin dhe ngritja intelektuale kishin bërë që Muhabi Neziri të ishte pjesëmarrës në demonstratat e 11 dhe 26 marsit, bashkë me shumë shokë e studentë të tjerë, si Bardh Frangu, Fahrush Mjaku, Hysen Demelezi nga Sllatina e Poshtme dhe patriotë të tjerë si Nehat Baftiu, Zijadin Zahiri, Musa Ramadani nga Komogllava dhe Njazi Idrizi e Sabri Rexhepi nga Gjilani. Shumë prej këtyre pjesëmarrësve pastaj ishin burgosur dhe dënuar nga regjimi i egër ish-jugosllav. Arrestimit nuk i kishte shpëtuar as Muhabi Neziri në demonstratën e 26 marsit 1981, por siç e thotë vetë Muhabiu, “Për shkak të numrit të madh të burgosurve, e kishin mbajtur vetëm një natë në koridoret e Sigurimit Shtetëror të Prishtinës, duke i ndaluar organizatorët kryesorë të demonstratave”. Ai kujton se “dhuna nga policia speciale e Beogradit ishte e tmerrshme te konvikti nr. 4, veçanërisht ndaj vajzave shqiptare, duke i rrahur dhe fyer me fjalët më të rënda antishqiptare”.
Bastisja fillestare e shtëpisë
Historiani i ardhshëm, Muhabi Neziri, me të njëjtit shokë mori pjesë edhe në demonstratat gjithpopullore të 1 dhe 2 prillit 1981, ndërsa në mëngjesin e hershëm të 25 nëntorit 1981, i bastiset shtëpia e prindërve nga inspektorët e UDB-së dhe policët të udhëhequr nga Refik Thaçi nga fshati Karaçevë i Kamenicës. Në përbërje të ekipit civil ishin edhe Feti “Shota” nga Gjilani, Ismet Kastrati nga Mireshi i Dobërçanit dhe Vidra Kovani nga Koretini, si dhe policët Jakupi nga Peja dhe Raifi nga Ballanca me vendbanim në Gjilan. Gjatë bastisjes konfiskohen dhjetra libra të sjellura nga Shqipëria, ndërsa Muhabiu arrastohet bashkë me vëllezërit, Fehmiun (29 vjeçar) dhe Ganin (23 vjeçar), tregon Muhabiu. Gjatë kësaj kohe (15 nëntor 1981 – 15 janar 1982), ai ishte i izoluar në burgun hetues të Gjilanit dhe torturohej së tepërmi. Torturat e tilla mund t’i kuptojnë vetëm ata shqiptarë që i kanë provuar nëpër burgjet e tmerrshme të ish-Jugosllavisë. Në këto tortura, tregon Muhabiu pas kaq shumë vitesh, ishin përfshirë të gjithë inspektorët e sigurimit, por dalloheshin sidomos Daut Morina nga Hodonoci i Kamenicës, Sinan Rexhepi nga Zhegra dhe inspektori serb Dushku nga Gjilani.
Pas daljes nga burgu, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, Muhabi Nezirit iu ndalua punësimi si profesor i historisë nga Komiteti i LKJ-së në Viti, prandaj ishte detyruar të shkonte në Sarajevë dhe Kutin të bënte punë krahu për sigurimin e ekzistencës. Në vitin 1984 bëhet banor i Ferizajit me qëllim që t’i shpëtonte ndjekjes politike nga Komiteti i LKJ-së së Vitisë. Gjatë kësaj kohe, me ndihmën e Bahri Avdiut, ish-drejtor i shkollës në Dardani, dhe Hajrullah Hoxhës, ish-inspektor i Arsimit në Ferizaj, punësohet si mësues i historisë në shkollën fillore në Biti të Shtërpcës dhe në shkollën fillore të Zllatarit të Ferizajit.
Bastisja e dytë dhe e tretë, si dhe dënimi me një muaj burg
Dashuria dhe përkushtimi i Muhabit Nezirit për çlirimin e Kosovës nuk ndalën asnjëherë. Krahas punës si arsimtar, të cilën e kryente me shumë dashuri, Muhabi vazhdonte veprimtaritë kombëtare. Më 23 dhe 24 mars 1989, ai mori pjesë aktive në demonstratat për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës që mbaheshin në Ferizaj. Në ditën e dytë të protestave, rreth orës 17:00, arrestohet për herë të dytë nga njësia speciale e Bosnjës, e cila përdori dhunë të tmerrshme fizike. Po ashtu, në hetuesi torturohet nga inspektori shqiptar, Sakip Kollari, nga Dibra e Maqedonisë. Pas torturave të rënda, diku pas mesnate, dënohet me 30 ditë burg nga gjykata themelore e Ferizajit, burg që e mbajti në Dubravë.
Vetëm tri ditë pasi lirohet nga burgu i Dubravës, më 26 prill 1989, pason bastisja e shtëpisë së prindërve nga inspektorë shqiptarë dhe serbë, të drejtuar nga Sadik Hajrullahu nga fshati Gërmovë dhe Kadri Fetahu nga Vërbani. Gjatë këtij arrestimi, Muhabi Neziri akuzohet si organizator i demonstratave të 25 marsit 1989 në Ferizaj, një aktakuzë e paqartë pasi ai ishte në burg në atë kohë. Lirohet nga burgu në fund të gushtit 1989, por pak ditë para se të lirohet, shtëpia e tij bastiset për të tretën herë më 12 gusht 1989 nga UDB-ja e Ferizajit. Në këtë rast, të gjithë policët ishin serbë, përveç një polici shqiptar, Naser Fazliu nga Ferizaji, me origjinë nga Kamenica, shpjegon Muhabi, duke i kujtuar ato ditë të vështira dhe peripecitë e mëdha që ka hequr.
Pas daljes nga burgu, si shumë profesorë të tjerë, Muhabi Neziri kishte të ndaluar të kthehej në vendin e punës në Biti dhe Zllatar. Gjatë viteve të okupimit serb, kur arsimi shqip ishte ndaluar dhe shkollat ishin mbyllur nga regjimi fashist i Millosheviqit, shqiptarët organizuan mësim në shtëpitë-shkolla. Kjo ishte koha kur Muhabi Neziri pati mundësinë të punonte sërish si arsimtar në shkollën fillore “Gjon Sereqi” në Ferizaj.
Bastisja e shtëpisë për herë të katërt
Gjatë viteve 1990-1997, pas themelimit të LDK-së, ai ishte sekretar i nëndegës së LDK-së për fshatin Sllatinë e Poshtme. Megjithëse veprimtaria e tij ishte paqësore, bastisjet e shtëpisë vazhduan, tashmë për herë të katërt më 7 gusht 1993. Shtëpia e familjes Neziri ishte rrethuar nga 60 policë dhe pesë inspektorë të UDB-së, të udhëhequr nga inspektori Nenad Popoviq dhe komandantë të tjerë të policisë nga Novosella dhe Kllokoti. Kjo ishte bastisja më brutale që kishte ndodhur gjatë këtyre viteve përndjekjeje. Në këtë rast, arrestohet vëllai i vogël, Selami Neziri, si anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKCK).
Sado që Muhabi kishte filluar të vepronte në mënyrë legale, ai gjithashtu mbështeste shokët që po përgatiteshin për luftën çlirimtare. Shtëpia e familjes Neziri u shndërrua në bazë të UÇK-së, përkatësisht bazë të guerilit Rexhep Bislimi, i cili e shfrytëzoi pas aksionit të armatosur kundër forcave serbe në Gërlicë më 12 shtator 1997.
Fillimi i luftës së armatosur e gjeti Muhabi Neziri me përgjegjësinë e kryetarit të Këshillit të Emergjencës në fshatin e tij. Nga qershori i vitit 1998, pas ardhjes së vëllait Selamiut nga Guerilja e Prishtinës, ai iu bashkua radhëve të UÇK-së dhe mori pjesë në luftën çlirimtare. Duhet thënë gjithashtu që në odën e tij u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës për komunën e Vitisë dhe më pas edhe Shtabi i Brigadës 173, “Grsel dhe Bajram Sylejmani”, thotë veprimtari dhe atdhetari i përkushtuar për çlirimin e Kosovës, Muhabi Neziri.
Bastisja e pestë dhe e fundit
Bastisja e fundit e familjes Neziri ndodhi më 15 maj 1999. Kjo bastisje ishte e veçantë dhe lëkundi të gjitha bastisjet e tjera. Forcat e mëdha të ushtrisë serbe pushtuan oborrin e shtëpisë, duke sjellë atmosferë lufte në oborr. Kjo ndodhi kur të gjithë vëllezërit Neziri ishin në mal, ndërkohë që shtëpia e tyre ishte mbushur me familje të ikura nga zona të ndryshme të luftës.
Pas çlirimit të Kosovës, profesori i historisë, Muhabi Neziri, nuk ka kërkuar asnjë privilegj. Ai, me gëzim dhe krenari për atë që ka bërë për çlirimin e Atdheut, sërish mori ditarin e arsimtarit në shkollën fillore “Gjon Sereqi” në Ferizaj. Pas hapjes së shkollës fillore “Vezir Jashari” në rrugën “Rexhep Bislimi”, ai u transferua dhe vazhdoi të punojë si arsimtar i përkushtuar i historisë deri në pension.
Arsimtari atdhetar, tashmë në pension, Muhabi Neziri, është një lexues i pasionuar. Pothuajse nuk ka libër të botuar gjatë periudhës së pasluftës që nuk e ka lexuar. Kohën e lirë e kalon me miq të shumtë. Vitet e pensionimit po i shijon, duke lexuar, bashkë me fëmijët e tij, tashmë të arsimuar dhe edukuar për mrekulli: Adriatikun, ekonomist i diplomuar, Ngadhnjimin, profesor i historisë dhe Erblinën, mjeke e talentuar dhe e njohur në Ferizaj. Ajo që e kënaq më së shumti është mbesa e bukur, Frona, të cilën e do së tepërmi.
Fotot:
1. Muhabi Nezieri,
2. Rexhep Bislimi në odën e familjes Neziri në Sllatinë të Poshtme,
3 dhe 4 Faksimilet e vendimeve për largim nga arsimi.