Muhamet Mavraj: Është pak nëse një qyteti ia vëmë emrin Adem Demaçi
Muhamet Mavraj, njëri nga liderët e protestave studentore të vitit 1997, botues i gazetës së përditshme “Epoka e re”, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Demaçi, për vdekjen e veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçit.
Ai ka thënë se nuk e kemi nderuar Demaçin sa ai na nderonte.
“Është pak nëse një qyteti na shkon mendja nesër t’i japim emrin e Tij”, ka shkruar Mavraj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mavrajt:
Takimi i fundit me Bacen Adem, tre muaj më parë, në pervjetorin e shokut tonë, Shashivar Makolli. Iku edhe Baca, një kryelegjendë në vetvete.
E njoh aq vite sa ai ishte në burgje. Më shumë e doja sesa e dëgjoja, sepse kështu na mësoi jeta e tij. Nuk e kemi nderuar sa ai na nderonte. Zor të jetë dikush më i thjeshtë se Ai. Me vdiq nëna, Baca erdhi me 30 veta. Me vdiq motra, Baca erdhi me 30 veta. Me vdiq edhe baba, Baca erdhi me 30 veta. As në planin privat, as në tjerat, kurrë këtij njeriu nuk mund t’i dal hakesh. Edhe si komb, sakrificat e tij nuk i kemi vlerësuar dinjitetshëm. Është pak nëse një qyteti na shkon mendja nesër t’i japim emrin e Tij.
Ngushëllime familjes Demaçi dhe tërë shqiptarëve që e kanë dashur! Krenar përjetë qe ishte i yni!
(Autor i fotografisë: Muhamet Koci, gazetar. E falenderoj shumë!)