Muhamet Mavraj ia uron ditëlindjen e 100-të patriotit Rexhep Balidemajt
Publicisti Muhamet Mavraj ia ka uruar ditëlindjen e 100-të veprimtarit Rexhep Balidemajt, për të cilin ka thënë se është një nga patriotët më të vjetër të mbetur gjallë.
Mavraj ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se që nga viti 1948 ka vuajtur 13 herë burgime politike kahmos nëpër Jugosllavi, duke filluar nga famëkeqi në Goli Otok.
“Në fillim të vitit 1990, kur unë isha në burg si nxënës për demonstrata, edhe ky si veteran ishte po për to. Që nga viti 1948 ka vuajtur 13 herë burgime politike kahmos nëpër Jugosllavi, duke filluar nga famëkeqi në Goli Otok. Qysh me herën e parë ia këputën karrierën kështu pilotit të parë shqiptar në Jugosllavi, aq i zoti ishte, ndonëse aq i ri. Tutje dihet rrokullisja e jetës së tij”, ka shkruar Mavraj.
Urimi i plotë i Mavrajt:
Të mos themi më “jetofsh 100 vjet”, por më shumë!
Ky burri këtu sot fiks 100! Është Rexhep BALIDEMAJ, një nga patriotët më të vjetër të mbetur gjallë. Në fillim të vitit 1990, kur unë isha në burg si nxënës për demonstrata, edhe ky si veteran ishte po për to. Që nga viti 1948 ka vuajtur 13 herë burgime politike kahmos nëpër Jugosllavi, duke filluar nga famëkeqi në Goli Otok. Qysh me herën e parë ia këputën karrierën kështu pilotit të parë shqiptar në Jugosllavi, aq i zoti ishte, ndonëse aq i ri. Tutje dihet rrokullisja e jetës së tij.
Në dy dekadat e fundit jeton në Amerikë dhe sa herë vinte, burri i botës më kthehej në konak. Aq i dashur!
Baca Rexhë është një enciklopedi e gjallë ende, ka njohuri të gjithanshme. Shumë inspirues për të gjitha gjeneratat. Është një monument i gjallë patriotizmi. Ai meriton dekoratat më të larta nga të dy shtetet shqiptare dhe jo injorimin e ftohtë si hekur.
Baca Rexhë, me gjithë zemër të urojmë edhe shumë vite të lumtura!
Faleminderit që ke ekzistuar dhe faleminderit që ekziston!