Muharrem Blakaj, nesër do të promovojë romanin “Paraardhësit” dhe filmin dokumentar “Nana Kadë”
Nesër e (shtunë) në orën 12:00 në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë do të bëhet promovimi i romanit “Paraardhësit” (botim i dytë), i autorit Muharrem Blakaj, si dhe do të shfaqet premiera e filmit dokumentar “Nana Kadë”.
Romani “Paraardhësit” i Muharrem Blakajt ka intrigë, shquhet për veprim dramaturgjik të përshpejtuar, të mbanë pezull e të le pa frymë, sa që e ke vështirë ta lesh në gjysmë leximin.
Ky roman paraqet realitet të hidhur në mesin e një pjese të rinisë sonë. Tjetërsim i tyre në veshje, pamje e sjellje, ngjanë sikur je duke jetuar në mesin e fiseve beduinë të mesjetës së hershme diku në shkretëtirat arabe.
Yshtja nga ana e disa imamëve të papërgjegjshëm, bëri që shumë të rinj shqiptar, islamin ta barazojnë me çmimin e jetës së tyre.
Kurse filmi dokumentarë me titull “Nana Kadë” paraqet vuajtjet e saj, pas arrestimit, torturimit dhe vrasjes së djalit të saj Xhemajlit në burgun famëkeq të Pejës, në vitin 1986.
Muharrem Blakaj, lindi më 6 janar 1959 në fshatin Vrellë komuna Istog.
Është një shkrimtar shqiptar nga Kosova dhe ish disident i regjimit serbo-jugosllav.
Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Istog. Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe.
Muharrem Blakaj për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë më 5 shkurt 1987. Herën e dytë në mungesë të provave e lirojnë, ndonëse një vit më parë UDB serbe ia kishte mbytur të vëllain Xhemailin, në burgun hetues të Pejës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp “Monolog i një komiti”, si dhe dy novelat “Balta me gjak” dhe “Besa”, të cilat nuk ia kthejnë asnjëherë.
Muharrem Blakaj, në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër.
Ai deri më tani i ka botuar kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë, tregimet dhe fragmente nga romanet e tij.
Veprat letrare
1. Misioni Sekret, roman, botoj Shtëpia Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004
2. Thesaret e Humbura, roman, botoj Shtëpia Botuese SHKSH “Mëmëdheu”, St.Gallen 2005
3. Atentat brenda germës L, roman, botoj Shtëpia Botuese “Mëmëdheu”, St.Gallen 2007
4. Paraardhësit, roman, botoi “KOMBI” (IKDFK), Prishtinë 2009.
5. Rrugëtim Fatal, monografi, botoj Shtëpia Botuese “Dukagjini”, Pejë 2012
6. Paraardhësit, roman, ribotim, botoj Shtëpia Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2018.