Muharrem Sahiti tregon shanset e Feronikelit për kualifikim
Feronikeli që është kampion dhe fitues i Kupës në Kosovë, arriti të kualifikohet në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve. Trajneri Muharrem Sahiti për “Epokën e re”, ka thënë se “Nikli” e ka përmbushur objektivin dhe se në këtë sukses i ka ndihmuar fakti se ndeshjet i ka zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Mund të them se Feronikeli e ka përmbushur një objektiv të mirë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve ku arriti kualifikimin. Mund të them se ka fituar më meritë të plotë, por nuk duhet harruar se i ka ndihmuar shumë fakti se ka qenë vendës”, ka deklaruar ai.
Kundërshtare e radhës e skuadrës nga Drenasi është TNS-ja. Lidhur me shanset e Feronikelit ndaj këtij kundërshtari, Sahiti ka vlerësuar se janë të barabarta. “Tash Feronikeli do të ballafaqohet me një kundërshtar të nivelit më të lartë dhe me përvojë më të madhe, por kam besim se skuadra jonë do të jetë më e përqendruar dhe më e motivuar. Sa i përket kualifikimit, nuk mund të jap prognozë sepse do të jetë shumë vështirë. Do të isha shumë i kënaqur nëse ‘Nikli’ tregon paraqitje të mirë për faktin se do të ishte një reklamë e mirë për futbollin e Kosovës. Gjasat për kualifikim janë 50 me 50”, ka shtuar Sahiti.
/Veton ZYMBERI/