Muharremaj: AAK-ja nuk heq dorë nga pozita e presidentit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pretendon që shtetin duhet ta udhëheqë lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Madje nga kjo parti kanë thënë se është e drejtë kushtetuese që kush do që ka pretendime për këtë pozitë ta paraqes kandidaturën.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, njëherësh anëtari i Kryesisë në këtë parti, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se pret që partnerët e koalicionit të merren vesh për këtë pozitë deri në mars, një muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
“Është e drejtë kushtetuese me konkurruar në fund të fundit do të vendosin ata që kanë 81 vota zgjidhet president. Besoj që deri në mars do të merren vesh. Mirëpo kuptohet se Aleanca ka pretendime për president të vendit”, ka thënë ai.
Muharremaj ka theksuar se çdoherë kanë qenë të gatshëm të marrin pjesë në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se nuk pret shumë nga takimi i 4 shtatorit, duke theksuar se mund të ketë vetëm marrëveshje ekonomike dhe jo përfundimtare.
“Kryeministri i vendit i udhëheq bisedimet dhe e cakton ekipin vet për të marrë pjesë në bisedime. Ne çdo herë kemi qenë që të marrim pjesë në bisedime si parti shtetformuese dhe ta gjejmë një pikë të përbashkët me partitë politike dhe të jemi sa më unik në bisedimet që do të jenë me 4 shtator në Uashington”.
“Unë nuk pres shumë nga këto bisedime, ka mundësi të ketë marrëveshje ekonomike, por marrëveshje përfundimtare nuk ka. Kosova atë çka e ka duhet të fitojë, lëvizje të kufijve nuk duhet të ketë, por duhet të merren vesh. Sa ma shpejt që ta kryejmë marrëveshjen me Serbinë më mirë është për shqiptarët të ecim ka zhvillimi ekonomik”, ka thënë Muharremaj.