Muhaxheri fajëson politikën dhe pret qeverinë e ardhshme për “Borean”

03 janar 2021 | 11:47

Pas një periudhe të gjatë, në shtator të vitit 2018 kishte nisur puna për ndërtimin e Kompleksit rekreativo-sportiv “Borea” në Pejë. Punimet në këtë qendër, që është vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës, ku  parashihej të punësoheshin rreth 500 persona, u ndërprenë për arsye të pezullimit të lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë Qeverisë Haradinaj.

Arsyet se pse ky projekt ka ngecur për kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, fajtor është politika. Muhaxheri, në intervistën për KosovaPress, thotë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që më vonë sipas një organizimi të ri u shndërrua edhe në Ministri të Ambientit, vonoi me procedurat për kalimin e zoonimit të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” në Qeveri e Kuvend.

Megjithatë, pengesat, Muhaxheri thotë se i kanë shkaktuar njerëz të caktuar të politikës.

“Është projekti më i madh, jo vetëm në Pejë por edhe në gjithë Republikën e Kosovës. Prapë kemi problemin me Ministrinë e Planifikimi Hapësinor (më vonë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit) e cila përkundër obligimeve ligjore që ka pasur që tetë vite nuk e ka kaluar zoonimin e projektit nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe tash kjo po paraqitet si pengesë dhe pse nuk ishte dashur të ishte pengesë, unë besoj që më tepër është pengesë politike e caktuar prej njerëzve të caktuar në këtë ministri për të penguar Komunën e Pejës në realizimin e projektit madhor që nuk është vetëm për komunën e Pejës, por ka impakt edhe për komunën e Klinës, Deçanit, Istogut e besoj edhe të Junikut”, tha Muhaxheri.

Megjithatë, plani i zoonimit të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” është në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të pritet legjislatura e re që do të dalë prej zgjedhjeve të reja për të çuar përpara edhe projektin e “Boreas”.

Muhaxheri ka shpresë edhe në qeverinë e re dhe ministrat e rinj që pret edhe nga ta që ta shtyjnë përpara këtë projekt të rëndësishëm për Komunën e Pejës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mungesa e stabilitetit politik, ku vetëm vitin e kaluar janë…