Muhaxheri: Hera e parë që Qeveria nuk ka ndarë asnjë cent për Pejën
Kryetari i Komunës së Pejës dhe nënkryetar i LDK-së në nivel qendror Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se viti 2021/22 është hera e parë në historinë e pasluftës, që Qeveria qendrore nuk ka ndarë asnjë cent, drejtpërdrejt për projekte në komunën e Pejës.
Deklaratën Muhaxheri e ka bërë të enjten në ‘RADIO 1’.
“Kemi pasur qeverisje të shkuara, bile që kanë pasur ministra edhe nga partitë e tjera, jo nga LDK-ja që janë ofruar, kanë kërkuar projekte, kanë marrë mendime, kanë pranuar planet dhe prioritetet tona dhe kemi bashkëpunuar. Qeveria e Kurtit, është kjo qeveri e cila asnjë cent për Pejën kësaj radhe nuk e ka ndarë, pra për komunën. Investimi i planifikuar për Spitalin Rajonal të Pejës, që kanë thënë se do ta bëjnë, e mirëpresim, është rajonal dhe është mirë. Por po flas për komunën e Pejës, asnjë cent. Se a do të ketë në të ardhmen, presim mos po ndodhë më 2023”, ka thënë Muhaxheri.