Muhaxheri: Kosova mund të kualifikohet në Kampionatin Botëror

24 janar 2019 | 20:28

Trajneri më i mirë në vend, Fatmir Muhaxhiri, ka thënë për “Epokën e re” se Kosova U20 mund të kualifikohet në Kampionatin Botëror, duke u bërë sporti i parë kolektiv që e arrin një sukses të tillë.

Trajneri Fatmir Muhaxhiri është shpallur trajneri më i mirë i vitit 2018 nga Federata e Hendbollit të Kosovës. Trajneri Muhaxheri ka shkruar historinë e hendbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku me Përfaqësuesen U20 arriti ta fitojë garën me rëndësi të madhe IHF Trophy për Evropë dhe kështu ka hapur rrugën për të siguruar pjesëmarrje historike në Kampionatin Botëror të Juniorëve që mbahet këtë vit. I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Fatmir Muhaxheri është shprehur shumë modest kur ka folur për çmimin e fituar, kurse meritor për këtë e ka bërë stafin e përfaqësueses, federatën dhe hendbollistët. “Çmimi ‘Trajneri i Vitit’ ka ardhur pas rezultateve që kemi pasur me Përfaqësuesen e Kosovës U20 dhe sukseseve që kemi arritur, por tash na pret një punë edhe më e vështirë për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror. Nuk jam i vetëm që i kam arritur këto suksese, por këtë e kemi bërë bashkë me Federatën e Hendbollit dhe shtabin teknik në krye me selektorin Taib Ramadani, Benon Braushi, Veton Hajrizi dhe mjekun Leonard Bushatin. Ky është stafi që i ka përcjellë këta djem që tre vjet dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm i gjithë hendbollistëve. Mosangazhimi i tyre apo mossuksesi do të ndikonte që të mos shpallem trajneri më i mirë, prandaj ata janë më meritoret”, ka deklaruar Muhaxheri.

Trajneri pejan foli më pas edhe për cilësinë që e kanë shumica e hendbollistëve të rinj. Sipas tij, shumë prej tyre në një të ardhme të afërt mund ta bartin barrën kryesore edhe në Përfaqësuesen A. “Mund të themi se i kemi katër apo pesë hendbollistë që mund ta bartin barrën kryesore. Ne jemi bashkë që katër vjet dhe mund të them se kemi hendbollistë cilësorë si Tahirukajn, Muqollin, Luzhën, Gubetinin, Shabanin e të tjerë që për momentin nuk më kujtohen”, ka shtuar ai. I pyetur se sa janë gjasat që Kosova të kualifikohet në Kampionatin Botëror, Muxhaeri është përgjigjur: “Me lojtarët që kemi dhe me përforcimet që jemi duke i kontaktuar me selektorin, e që një prej tyre është edhe Albin Xhafollin, normalisht se do ta bëjmë një skuadër të fortë dhe do t’ia arrijmë qëllimit që të jemi përfaqësuesja e parë që do të kualifikohet në Kampionat Botëror nga sportet kolektive”.

Lidhur me cilësinë në hendbollin e Kosovës dhe me rezultatet në garat ndërkombëtare është shprehur i kënaqur trajneri Muhaxheri. Ai ka thënë se një tjetër e mirë në sportin e hendbollit është puna e madhe që po bëhet me gjeneratat e reja. “Mund të themi se cilësia e hendbollit është në ngritje, edhe pse në disa klube aty-këtu kanë rënie. Në katër skuadrat kryesore te meshkujt dhe femrat ka ngritje, por kushtet financiare kanë ndihmuar shpesh edhe te cilësia. Suksese kemi arritur si te përfaqësuesja, po ashtu edhe te ekipet që kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare, e të cilat kanë kaluar xhiron e parë, të dytën dhe të tretën dhe tash janë në mesin e gjashtëmbëdhjetë më të mirave siç ishte vitin e kaluar Shqiponja e në këtë vit Istogu. Besoj se skuadra e Istogut do ta japë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv, por mos të harrojmë se po bëhet punë e madhe në gjeneratat e reja”, ka pohuar Muhaxheri.

Nëse Kosova e fiton fazën interkontinentale me 20-vjeçarët, atëherë do ta sigurojë paraqitjen në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Djelmoshat e Fatmir Muhaxherit në këtë fazë do të përballen me Nigerinë, Taipei Kinez, ShBA-në, Australinë dhe Paraguain.

Komunat t’i përkrahin më shumë klubet sportive

Për të pasur sukses si në çdo sport ashtu edhe në hendboll duhet që klubet të kenë një stabilitet financiar, pasi shpenzimet janë të mëdha dhe shpeshherë të papërballueshme për klubet sportive. Lidhur me këtë trajneri Fatmir Muhaxheri, ka apeluar te drejtuesit e komunave që t’i japin prioritet hendbollit dhe sportit në përgjithësi.

“Barra kryesore këtu bie te kuvendet komunale ku duhet të ndahen subvencione më të madha. Klubet i kanë shumat e kufizuara dy deri në tri mijë euro. Përveç skuadrës së Besës që ka kushte më të mira, deri-diku edhe Prishtina dhe Kastrioti, klubet e tjera si Trepça, Vushtrria, Gjakova kanë ekipe të mira, por kanë probleme financiare. Mendoj se kur të hyjë në fuqi edhe Ligji për sponsorime klubet do të kenë kushte më të mira për punë”, ka deklaruar Muhaxheri, i cili ka porositur të punohet me përkushtim në mënyrë që rezultatet mos të mungojnë. “Sa më shumë të punojmë se kush do të jetë trajner. Hendbolli do të jetë shumë më përpara dhe të kemi ekipe cilësore që do të në prezantojnë në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Muhaxheri.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Forumin…