Muja aludon se LV-ja “ndaloi ndarjen e Kosovës”
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje në momentin që ka ardhur në pushtet nuk ka lejuar ndarje të territoreve të Kosovës, si dhe nuk do të lejojë formim të Asociacionit mbi baza një etnike.
Në Rubikon, Muja ka theksuar se ata kanë përmbushur premtimet edhe për aplikim të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, si dhe punën për liberalizim të vizave.
“Konteksti me të cilin ne kemi ardhur në pushtet kanë dy çështje, e para ato idetë për krijimin e ‘Zajednicës’, dhe e dyta ka qenë potenciali për shkëmbim të kufijve. Kjo është konfirmuar detajisht edhe nga John Bolton, në intervistën e tij javën e kaluar, e tregon qartazi se si elita politike e Kosovës në bashkëpunim me elitat e politikës në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, janë marrë vesh dhe kanë dashtë ta ndajnë Kosovën. Kjo është konteksti. Trauma e famshme që e ka goditur shoqërinë është ideja për ndarjen e Kosovës. Edhe kjo është ndaluar”.
“E dyta ka qenë të gjitha ato përpjekjet për formimin e ‘Zajednicës’, të cilat ne i kundërshtojmë, ‘Zajednicë’ në Kosovë nuk do të ketë. Në këtë aspekt ka qenë detyrë e jona që të forcohet pozicioni i Kosovës sidomos në orientim ndaj projekteve të integrimit Evropian”, ka thënë Muja.