Muja çohet në këmbë për ta mbrojtur ZRrE-në dhe për ta kundërshtuar Trustin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, e ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës, duke u ngritur në këmbë për të treguar se si shtrenjtimi i rrymës, sipas tij, ka qenë i domosdoshëm.
Nga shtrenjtimi i rrymës, ai ka thënë se beson se janë prekur veç ata që shpenzojnë shumë, e që sipas tij janë shtresat e pasura të shoqërisë.
“Kur na ka zënë kriza, i kemi pas dy opsione: me ua shtrenjtuar të gjithëve ngapak, ose me ua shtrenjtuar atyre që shpenzojnë më së shumti. Dhe rregullatori ka vendos me ua shtrenjtuar atyre që e shpenzojnë… Cila është logjika që ne t’i subvencionojmë shtresat e pasura?”, ka thënë ai.
Më tutje, Muja ka thënë se kërkesa për tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Trusti, ka për qëllim që të përfitojnë të pasurit.
“E njëjta është edhe te Trusti. Kërkesa për Trustin e ka qëllimin që të përfitojnë 60 mijë qytetarë, kryesisht shtresa të pasura të shoqërisë. Pra, janë bërë disa milionerë këtu që kanë qenë në pushtet qe një dekadë, tash iu ka shtrenjtuar rryma edhe po ankohen. Vilat edhe veturat e shtrenjta le t’i financojnë vetë”, ka thënë Muja.