Muja i quan Çitakun dhe Rukiqin injorantë: Investitorët e huaj na kanë thënë se nuk vinin në Kosovë për arsye haraçi
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka kritikuar Berat Rukiqin e LDK-së dhe Vlora Çitakun e PDK-së, për deklaratat që ai thotë se i kanë bërë duke e quajtur Kosovën si storje të papërfunduar.
“‘Kosova është storje e papërfunduar. Investitorët thonë se i përket Serbisë’, ‘Pse dikush duhet të investojë në një tokë të askujt?’ Këto deklarata i paskan bërë dy përfaqësues të rendit të stërvjetëruar: Berat Rukiqi nga LDK dhe Vlora Çitaku nga PDK”, ka shkruar ai në Facebook.
Muja ka shkruar se mund të imagjinohet se me çfarë investitorë kanë punuar këto dy parti.
Postimi i plotë:
‘Kosova është storje e papërfunduar. Investitorët thojnë se i përket Serbisë’, ‘Pse dikush duhet të investon në një tokë të askujt?’ Këto deklarata i paskan bërë dy përfaqësues të rendit të stërvjetëruar: Berat Rukiqi nga LDK dhe Vlora Çitaku nga PDK. Tash mund të imagjinoni se me çfarë investitorë këta kishin punë. Në kohën e tyre Kosova importonte rryme nga ‘investitori’ Vuk Hamović dhe kontratat në KEK ja besonin ‘investitorit’ nga Serbia 14 Oktobar, në dëm të kompanive perendimore.
Tash kanë ndryshuar gjërat, në KEK investon ‘General Electric’ nga SHBA. Investimet e huaja direkte janë trefishuar që nga koha kur këta nuk qeverisin. Ne investitorët po na thonë që arsyet që nuk vinin ishte mungesa e drejtësisë dhe haraçi. Kosova është storje e përfunduar! Kosova nuk është tokë e askujt injorantë!
National Geographic ia paska kushtuar një artikull të gjatë Kosovës që ia vlen të lexohet. Por çka vërejta e ma vrau syrin është që atëherë Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Ruqiki, tash LDK, në vend se të flas se pse duhet të investohet në Kosovë, ai në këtë artikull paska folur se si Kosova nuk ofron stabilitetin dhe parashikueshmërinë e nevojshme për investitorë të huaj.
Hiç deklaratë më të mirë nuk paska dhënë as Vlora Çitaku, ish ambasadore e Kosovës në ShBA, e cila theksin e paska vendosur te dyshimet dhe kërcënimet nga Serbia me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj, në vend se te veçoritë e tregut tonë për investime. Në artikull fjala “investime” përmendet vetëm dy herë. Në të dyja rastet qysh nuk është mirë me investu në Kosovë. Kur gjatë qeverisjes të tyre vinin investitorët e huaj, ju kërkoshin pare. Tash po ju thonë mos hajdeni hiq.