Muja: Ka dallime esenciale në mes të marrëveshjes së vitit 2013 dhe asaj të nënshkruar tash
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë të mërkurën në Kuvendin e Kosovës se ka dallime esenciale në mes marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013 dhe kësaj të nënshkruar më 21 qershor 2022.
Ai ka thënë se tash Kosova është në bllokun energjetik të Shqipërisë.
“Në vitin 2013 kemi qenë në bllokun e Serbisë me Malin e Zi”, ka thënë Muja, teksa ka shprehur dallimin mes marrëveshjes për energjinë së tashme dhe asaj nëntë vite më parë.
Muja ka shtuar se më 14 shkurt, qytetarët kanë votuar për një projekt të ri politik.
“S’ka zgjedhje të Serbisë në Kosovë e as referendume, është luftuar kontrabanda, është rasti ‘Brezovica’ e tash do të paguhet edhe rryma”, ka thënë Muja.
Opozita e ka akuzuar për “hipokrizi” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel me Serbinë të cilën nga pala kosovare e ka nënshkruar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër.