Muja: Mbyllja e institucioneve financiare jobankare mund të ketë lidhje me zhvillimet politike
Profesori universitar Armend Muja, ka thënë se disa vendime të institucioneve i ka konsideruar si politike për shkak të ndryshimit të pushtetit.
Muja, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se institucionet financiare jobankare kanë luajtur një rol pozitiv për një shtresë të shoqërisë që nuk kanë pasur qasje në financa.
“Ne dimë që qasje në financa është problematike për një seri të madhe të bizneseve. Qasja në financa është edhe më e vështirë për gratë dhe të rinjtë që nuk kanë punë apo kontrata pune. Prandaj këto institucione e luajnë njëfarë roli pasi favorizojnë një pjesë të shoqërisë që i ka harruar sistemi bankar por edhe shteti”.
Analisti thotë se përmendja e cenimit të sigurisë kombëtare si një ndër arsyet e vendimit të revokimit të licencave të këtyre institucioneve financiare duhet të bëhet transparente.
“Pas rastit të turqve unë nuk i besoj më AKI-së…Kanë nevojë edhe ata të tregojnë se si kanë ardhur te ai vendim që ka elemente të sigurisë kombëtare”.
Muja thotë se vendimi i marrë në këtë kohë kur Kosova është ende pa qeveri ka ngjallur dyshime.
“Edhe para se të krijohet ky koalicion unë kam parë një seri të hapave nga një sërë institucionesh sikur duan të presin këtë qeveri. Reformat në postë ku shkarkohet drejtorët, rasti i “Monego”, te prokuroria etj., si veprime konsistente me kërkesat e qeverisë në ardhje”, deklaroi Muja.