Muja merr vendimin përfundimtar, do të luajë për Shqipërinë

14 gusht 2023 | 11:07

Arbnor Muja do të jetë futbollisti më i ri i Kombëtares së Shqipërisë.

Sulmuesi kosovar ishte grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës në muajin mars për dy ndeshjet ndaj Izraelit në udhëtim dhe Andorrës, por nuk ka luajtur fare.

Ai nuk ishte vlerësuar aspak nga ish-trajneri i Kosovës, Alain Giresse dhe Muja ka marrë vendimin e ri.

Telegrafi ka mësuar ekskluzivisht nga burime të afërta me lojtarin se Muja tanimë ka vendosur përfundimisht dhe do ta përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë.

24-vjeçari aktualisht ndodhet në Tiranë ku ka udhëtuar nga Belgjika për tu pajisur me pasaportën shqiptare.

Anëtari i skuadrës belge Royal Antwerp do të grumbullohet nga trajneri i Shqipërisë, Sylvinho për dy ndeshjet e muajit shtator ndaj Repulikës Çeke dhe ndaj Polonisë.

Ka qenë pikërisht trajneri brazilian i Shqipërisë, Sylvinho që ka insistuar për afrimin e Mujës pasi e sheh si një nga lojtarët shumë të rëndësishëm.

Gjithnjë sipas burimeve të Telegrafit, Shqipëria e kishte kontaktuar Mujën që nga viti i kaluar, por ai fillimisht dëshironte Kosovën.

Gjithsesi, mitrovicasi tanimë ka marrë vendimin dhe në shtator do ta shohim me fanellën e Kombëtares shqiptare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea ka arritur përfundimisht që të transferon Moises Caicedo nga…