Muja: Në 55 ditët e fundit ministra të jashtëm e presidentë e kanë vizituar Kosovën, Kurti të vazhdojë kështu
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur në lidhje me programin qeveritar të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se qeveria e re është duke punuar në politikën e jashtme, duke shtuar se në 55 ditët e fundit ministra të jashtëm e presidentë e kanë vizituar Kosovën.
“Në 55 ditët e fundit Kosovën e kanë vizituar disa ministra të jashtëm e president. Hapat fillestar janë të rëndësishëm dhe e inkurajoj zotin Kurti të vazhdojë në këtë mënyrë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, derisa ka thënë se çështja e vaksinimit është prioritet, ai është shprehur se programi do t’i ndihmojë edhe fëmijëve, me shtesa dhe me shujta.
“Në programin qeveritar janë propozuar 3-4 masa, e para është shtesat për fëmijë. Fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet në të kaluarën. Janë 500 mijë fëmijë që do të përfitojnë. Është shumë me rëndësi shujta për nxënësit. Rreth 100 mijë nxënës do të përfitojnë nga shujtat për fëmijë. Ndërsa, e treta që është me rëndësi është edhe punësimi”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, ai ka thënë se borxhi qeveritar është rritur për 1.6 miliard euro.
Sipas tij, në Kosovë është bërë shprehi të thuhet që buxheti do të jetë 4 miliardë` euro, e pastaj të bëhet 2 miliardë, prej të cilave 1 miliard borxhe.