Muja: Për shkak të lëndimit nuk jam paraqitur për Antwerpin
Transferimi i Arbnor Mujës tek ekipi belg Royal Antwerp ishte një nga transferimet që bëri më së shumti bujë në futbollin e Kosovës. Muja, përkundër transferimit te gjiganti belg, ende nuk e ka bërë debutimin e tij me këtë skuadër. Muja për “Kanal10” tregoi arsyet se pse nuk është aktivizuar deri më tani me Antwerpin.
“Mosaktivizimi im deri më tani nuk ka qenë shkaku i dokumentacionit, por është problem i një lëndimi. Në lojën e parë kundër Antwerpit e kam pësuar një lëndim në fund të ndeshjes, ndërsa në lojën e dytë kam luajtur i lënduar. Në fillim kam menduar se është çdo gjë mirë, por më pas ka qenë një lëndim serioz në ‘hamstring’. Kur kam filluar stërvitjet me Antwerpin, pas ekzaminimeve mjekësore e kam parë që jam i lënduar. Kam qenë jashtë fushave për gjashtë javë dhe kjo është java e fundit e rikuperimit. Nga java tjetër shpresoj se do të jem pjesë e ekipit dhe të kem minuta”, ka thënë Muja.