Mulaj adreson problemet e bizneseve
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka organizuar sot konferencën për medie me temën “Barrierat e të bërit biznes në Kosovë”, ku sipas drejtuesve të OAK-ut, Kosova ende mbetet një nga vendet me më së paku investime në rajon.
Sipas drejtorit të OAK-ut, Ismet Mulaj, janë katër barriera për të bërë biznes, të cilat i adresohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Agjencioni Pyjor i Kosovës (APK) është administruese e mbi 42 për qind të tokave pyjore në Kosovë, kështu që e bën njërin nga faktorët kryesor në tërheqjen e investimeve.
Mulaj ka theksuar se me politikat aktuale të Agjencisë së Pyjeve, nëse një investues është i interesuar që të investojë në një zonë e cila administrohet nga APK-ja, ajo jep pëlqime vetëm deri në pesë vjet dhe atë vetëm për ndërtim të përkohshëm. “Cili biznes ka interes që të investojë në një zonë ku kontrata për shfrytëzimin e kësaj toke është deri në pesë vite. Asnjë biznes nuk ka arsyeshmëri që të investojë në kontrata kaq afatshkurtra”, ka thënë Mulaj.
Problemi tjetër që i adresohet APK-së dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale është se të dy institucionet taksojnë një taksë për rikultivim, taksë e cila është e dyfishtë dhe është barrë për biznesin.
Sipas tij, nuk ka asnjë investitor serioz në sektorin minerar në Kosovë.