
Mulaj: Luftojmë për ta fituar Kupën e Kosovës
Pas një periudhe të dominimit të plotë, Besa Famgas nuk e ka fituar Kupën e Kosovës në hendboll që nga viti 2022. Te skuadra pejane tashmë po paraqitet një gjeneratë e re, që po shkëlqen me lojë të bukur, por po ashtu që ka pretendime për suksese të reja.
Olsi Mulaj është prej lojtarëve më të rëndësishëm te Besa Famgas. Ai ka folur për faqen zyrtare të FHK-së para “Final 4” të Kupës së Kosovës. Besa të shtunën nga ora 16:00 takohet në gjysmëfinale me Vushtrrinë.
“Kemi punuar fort gjatë gjithë edicionit dhe kemi qenë të përkushtuar për të arritur objektivat tona. Synimi ynë në turneun final të Kupës është i qartë: të japim maksimumin në çdo ndeshje, të tregojmë lojën tonë më të mirë dhe të luftojmë për të fituar Kupën e vlefshme të Kosovës. E dimë që gara do të jetë e fortë dhe se çdo skuadër që ka arritur në fazën gjysmëfinale e meriton respektin tonë. Por në të njëjtën kohë ne kemi shumë besim në grupin tonë dhe në punën që kemi bërë. Ftojmë të gjithë adhuruesit e hendbollit të jenë pranë nesh në këtë turne dhe të shijojnë ndeshje të nivelit të lartë”, ka theksuar Olsi Mulaj.