Mulaomeroviqi, përzgjedhës i Kosovës në basketboll
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), ka emëruar përzgjedhës të Përfaqësueses së Kosovës, Damir Mulaomeroviqin, ish-basketbollistin e Kombëtares së Kroacisë dhe shumë skuadrave me renome evropiane.
Si trajner, Mulaomeroviq e ka filluar punën me të përfunduar karrierën si basketbollist, duke udhëhequr skuadra si Sloboda Tuzla (2013-2015), pastaj ka vazhduar te Cibona (2015-2017), derisa më 2016 ka qenë edhe përzgjedhës i Bosnje e Hercegovinës.
“Mulaomeroviq do të nis punën me Përfaqësuesen e Kosovës që nga data 29 gusht, kur edhe do të filloj përgatitjet për ndeshjen kundër Maqedonisë që do të zhvillohet në Prishtinë më 13 shtator në kuadër të FIBA Eurobasket 2021 Pre-Qualifiers”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Ndërkaq Përfaqësuesja e Kosovës pritet të grumbullohet që nga java e ardhshme, ku stërvitjet do të udhëhiqen nga ndihmëstrajnerët, të cilët do të emërohen nga Bordi i FBK-së në bashkëpunim me përzgjedhësin e ri. Lista e lojtarëve që do të grumbullohen me Përfaqësuesen e Kosovës do të publikohet deri në fund të kësaj jave. Bordi i FBK-së po ashtu e ka falënderuar ish-përzgjedhësin e Kosovës, Brad Greenberg dhe ndihmëstrajnerin Ernie Lee Nestor për kontributin e dhënë në zhvillimin e Përfaqësueses së Kosovës në një vit pune me ekipin e Kosovës. Duhet theksuar se nën udhëheqjen e Greenberg, Kosova ka arritur të kualifikohet në mesin e 32 kombëtareve më të mira evropiane në kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019”, që është vlerësuar edhe suksesi më i madh në histori të basketbollit kosovar deri më tani.