Mulaomerviq: Japim maksimumin ndaj Britanisë dhe Luksemburgut

16 korrik 2019 | 23:36

Basketbollistët e Kosovës janë duke zhvilluar stërvitjet për t’u përgatitur sa më mirë për parakualifikimet e “Eurobasket 2021”. Stërvitjet do të vazhdojnë dy herë në ditë, kurse gjatë fundjavës “Dardanët” zhvillojnë dy miqësore me Sllovakinë në udhëtim. Në stërvitjen e së hënës në mbrëmje i pranishëm ishte edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu. Ai ka konfirmuar se FBK-ja gjithmonë do të jetë afër lojtarëve dhe stafit, derisa shtoi se pret që basketbollistët të japin 100 % nga vetja për Kosovën, ashtu siç e kanë dhënë deri më tani. I pari i basketbollit kosovar nënvizoi se ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe janë shumë të rëndësishme, kurse u uron fat dhe suksese lojtarëve në këto ndeshje.

Ndërsa përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomerviq, beson se do të përgatiten maksimalisht. “Do të kemi edhe dy ndeshje miqësore që do të na ndihmojnë të përgatitemi sa më mirë. Shpresoj se nuk do të kemi lëndime dhe të përgatitemi sa më mirë deri para ndeshjeve të gushtit”, ka thënë Mulaomeroviq për faqen zyrtare të FBK-së.

Trajneri Mulaomerviq foli edhe për kundërshtarët e Kosovës. “Jemi në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Nuk do të jetë lehtë, por edhe ne kemi gjasat tona. Luksemburgu ka një ekip për respekt, derisa do të shohim se me çfarë ekipi do të paraqitet Britania. Sidoqoftë, ne do të japim maksimumin dhe angazhimi ynë nuk do të mungojë”, ka shtuar Mulaomerviq.

“Dardanët” më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zekirija Ramadani, trajner i Feronikelit, ka thënë se eksperienca për…