Mulleri: E kemi mendjen te Liga e Kampionëve
Thomas Mulleri është i bindur se Bayern Munchen do ta përballojë këtë edicion të Ligës së Kampionëve me më shumë vendosmëri se zakonisht.
“Kupa e Botës (në të cilën Gjermania u eliminua që në grupe) dhe humbja e pafat ndaj Realit në Liga e Kampionëve janë stimuj shtesë që na japin energji”, ka thënë Mulleri për “Sport Bild”. “Ia kemi vënë syrin Ligës së Kampioneve dhe kemi Niko Kovaçin, një trajner të ri dhe ambicioz”, ka shtuar ai.
Bayern Muncheni ka qenë kandidat për Ligën e Kampionëve që kur u shpall kampion në vitin 2013. Sezonin e kaluar ekipi “bavarez” humbi në gjysmëfinale kundër Real Madridit. Në sezonin 2016-2017 ishte sërish Reali që e eliminoi ekipin gjerman, por në çerekfinale.
“Kemi qenë afër titullit. Shpresoj që këtë vit të fitojmë”, theksoi 28-vjeçari. “Shpresoj se këtë sezon t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion nga marsi deri në maj (kur luhet faza vendimtare e Ligës së Kampionëve). Atëherë, gjithçka do të ishte e mundur për ne”, ka deklaruar Mulleri.