Mulliqi çon dy “gjeneralë” në Mitrovicë
Mbrëmë, në Shtëpinë e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në teatrin e qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, u dha premiera e shfaqjes së dramës “Katër epoletat” të autorit dhe regjisorit Haqif Mulliqi. Kënaqësinë e shfaqjes, edhe pse në fillim u duk se e prishi ndërprerja e energjisë elektrike në gjysmë të shfaqjes, duket se ajo vetëm e rriti pas gjetjes në këtë situatë të aktorëve të cilët ishin në gjendje të mendojnë dhe të veprojnë edhe në errësirë dhe të kapin celularët në duar e të bëjnë ndriçim.
“Gjeneralët”, Betadori dhe Alfadori, edhe i verbri që kërkonte qytetin e Pangjyrë, u duartrokitën disa herë për aktrimin nga publiku.
Edhe pse drama nuk ka elemente të angazhimit politik në kontekstin e Kosovës, në skenë autori dhe regjisori Haqif Mulliqi artin e kishte ngarkuar edhe me politikë, duke ua ngarkuar atë tre aktorëve të shfaqjes, sidomos dy gjeneralëve të ushtrisë që kishin tipare tragjikomike, groteske dhe simbolike e të cilët shikimin, mendjen dhe fjalitë jo të plota i kishin për Mitrovicën.
Autori, nëpërmjet ballafaqimit të gjeneralëve, zhvesh karakteret e tyre, tregon dëshirat dhe dobësitë e tyre pastaj, në fund të shfaqjes, dy gjeneralët, të zhveshur e të mbetur vetëm me pizhame, nisen drejt vdekjes (luftës), qytetit të Pangjyrë, drejt të cilit u prin i verbri.
Dy ditë më parë autori i dramës dhe regjisori Haqif Mulliqi ka shkruar një tekst të shkurtër për këtë dramë, duke bërë me dije kur e ka shkruar. Më poshtë teksti i tij i publikuar në “Facebook”:
Foto me dy aktorë jashtëserikë: Ismet Azemin dhe Basri Lushtakun, artistë që e nderojnë shkollën e aktrimit të Fakultetit të Arteve në Prishtinë.
Këto ditë kemi punuar shumë për ta realizuar veprën time më të dashur dramatike, “Katër epoletat”. Është më e dashura ngaqë e kam shkruar këtu e 40 vjet më parë si refleksion ndaj gjithë asaj që kishte ndodhur në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981. Atëbotë një autor i ri dhe i mburrur me veten si artist. Në vitin 1983 dramën e dërgova në Teatër të Kosovës për ta provuan fatin prej një djali ambicioz. Inskenimi nuk ndodhi, por unë nuk u dekurajova. “Katër epoletat” për herë të parë u inskenua nga Orhan Kerkezi në vitin 1996 në Teatrin “Dodona” kur më nuk isha djalë edhe aq i ri dhe kur aty bëhej një rezistencë e jashtëzakonshme kulturore kundër pushtuesit. Mendoj se kjo qe paraqitja e fundit, mbi “dërrasat e Talias”, e doajenit të skenës sonë, Shani Pallaska. Gruaja e tij më tha: “Haqif, djali im, janë 45 vjet që e shikoj Shaniun në çdo shfaqje ku ka luajtur, por asnjëherë më madhështor nuk më është dukur.”
Në vitin 1999 në Teatrin Popullor të Gjakovës, fill pas luftës, e inskenoi me shumë sukses Hollger Zibler. Shfaqja më pëlqeu shumë. Zibler “Katër epoletat” i inskenoi edhe në Dortmund (Gjermani). Drama është inskenuar më 2004 në Tiranë nga Milto Kutali. Më pas, katër vjet më vonë, një inskenim i saj ndodhi në Teatrin e Greqisë së Veriut, në Selanik. Një vit më pas edhe në Teatrin e Plevenit në Bullgari. Së voni është punuar në një variant jashtëzakonisht të mirë nga kunata ime, Arta Mulliqi, ndërsa aktualisht, krahas me shfaqjen tonë në Mitrovicë, është duke u punuar edhe në Teatrin e Tuzllës në Bosnjë e Hercegovinë.
Por, të kthehem edhe një herë në fillim!
Ka vite e vite që e kisha një ide, apo edhe më shumë dëshirë, që të punoja me aktorët Ismet Azemi dhe Basri Lushtaku. Kisha një lloj ndjeshmërie artistike dhe profesionale ndaj tyre. Kjo nuk ndodhi për shumë arsye në të cilat nuk dua të futem tashti.
Sido që të jetë, as në mendje nuk do të më shkonte se me ta do ta punoja një vepër për mua kaq të dashur, siç është drama “Katër epoletat”.
Jam shumë i lumtur që unë jam autor i kësaj shfaqjeje dhe që më është dhënë rasti që të bashkëpunoj e të bashkëveproj artistikisht në skenën teatrore me ta në dramë, në shfaqje me dy aktorë gjigandë.
Shpresoj që ata do të kenë mësuar diç prej meje ngaqë unë kam mësuar shumë prej tyre, sidomos mbi mjeshtërinë e aktorit dhe të asaj se si duhet të bashkëveprojnë aktorët ndërmjet vete në një shfaqje teatrore. Gjithashtu, falënderoj nga zemra edhe aktorin dhe mikun tim, shumë të mirë e të dashur, Adem Zhitipotoku që është, gjithashtu, një prej shtyllave të domethënëse të shfaqjes sonë.
E falënderoj edhe Penesta Mulliqin e cila punën e asistentit të regjisorit e bëri perfekt.