Mund të ketë dërgim të trupave perëndimore në Ukrainë
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se dërgimi i trupave perëndimore në terren në Ukrainë nuk “përjashtohet” në të ardhmen pasi çështja u debatua në një mbledhje të liderëve evropianë në Paris, ndërsa pushtimi në shkallë të plotë të Rusisë po kalon në vitin e tretë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, udhëheqësi francez theksoi se “ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet në mënyrë që Rusia të mos e fitojë luftën” pas takimit të mbi 20 krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane dhe zyrtarëve të tjerë perëndimorë.
“Nuk ka konsensus sot për të dërguar trupa në terren në mënyrë zyrtare dhe të miratuar. Por për sa i përket dinamikës, asgjë nuk mund të përjashtohet”, citohet të ketë thënë Macron në një konferencë shtypi në pallatin presidencial Elysee.
Megjithatë, Macron nuk pranoi të jepte detaje se cilat kombe po shqyrtonin dërgimin e trupave.
Ndryshe vënë në pah mediat, takimi përfshinte kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin e Polonisë, Andrzej Duda si dhe liderë nga vendet baltike.
Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga kryediplomati i tyre për Evropën, James O’Brien, dhe Britania e Madhe nga Sekretari i Jashtëm, David Cameron.
Duda tha se diskutimi më i nxehtë ishte nëse do të dërgoheshin trupa në Ukrainë dhe “nuk kishte asnjë marrëveshje për këtë çështje. Mendimet ndryshojnë këtu, por nuk ka vendime të tilla”.
Presidenti i Polonisë tha se shpreson që “në të ardhmen më të afërt, së bashku do të jemi në gjendje të përgatisim dërgesa të konsiderueshme municionesh në Ukrainë. Kjo është më e rëndësishmja tani. Kjo është diçka që Ukraina ka vërtet nevojë”.
Macron më herët u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të garantojnë “sigurinë kolektive” të kontinentit duke ofruar mbështetje të palëkundur për Ukrainën përballë ofensivave më të ashpra ruse në fushën e betejës muajt e fundit.