Mund të shkojmë në zgjedhje, por MPB-në nuk e japim
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka treguar se tema kryesore që ka bllokuar marrëveshjen për koalicionin qeverisës LV-LDK është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Ai ka deklaruar se LV-ja nuk lëshon pe për këtë ministri.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bahtiri ka thënë se zotimet që i ka bërë kjo parti para elektoratit lidhen drejtpërdrejt me këtë ministri.
“Mendoj se secili subjekt politik e dëshiron një gjë të tillë, në mënyrë që të jetë komod në qeverisje. Ministria për të cilën po flitet dhe që është temë kryesore është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Ne nuk mund ta japim këtë ministri sepse zotimet që i kemi pasur para elektoratit ka qenë edhe kjo ministri, e cila lidhet jashtëzakonisht shumë me temat që jemi zotuar para qytetarëve. Ato janë lufta kundër korrupsionit, forcimi i rendit dhe ligjit, konfiskimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme etj”, ka deklaruar Bahtiri.
Madje ai ka bërë me dije se LV-ja është e gatshme të shkojë sërish në zgjedhje për këtë ministri.
“Jo, asnjëherë. Ministria e Punëve të Brendshme është ministri që ne nuk ia japim askujt. Ne mund të shkojmë në zgjedhje, por këtë ministri nuk e japim. Nuk e japim sepse dalim para elektoratit tonë të tradhtuar. Pa këtë ministri nuk do të mund t’i realizojmë zotimet që i kemi premtuar”, ka deklaruar ai, duke treguar se pse LDK-ja nuk duhet ta udhëheqë këtë ministri. “LDK-ja duhet ta di se më herët i ka pasur tri ministra që kanë drejtuar këtë ministri dhe nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Mua më çuditë fakti se pse kjo parti e kërkon këtë ministri kur ka edhe ministri të tjera në të cilat mund ta japë kontributin e vet”, ka thënë Bahtiri.
Megjithatë, ai ka shprehur optimizëm se, pavarësisht prej këtyre kundërshtimeve, ky koalicion do të arrihet. “Mendoj se ky koalicion do të lidhet, sepse nuk ka alternativë tjetër. Për këtë jam shumë optimist, sepse s’ka zgjedhje tjetër. Mendoj se secila parti që bojkoton këtë mundësi që të bashkëqeverisim do të pësojë jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Bahtiri.
“Epoka e re”: Z. Bahiri, pavarësisht prej pritjeve, ende nuk ka ndodhur nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të LV-së dhe PDK-së. Pse?
Bahtiri: LDK-ja dëshiron t’i marrë ministritë të cilat ajo mendon se janë më të favorshme për të. Mendoj se secili subjekt politik e dëshiron një gjë të tillë, në mënyrë që të jetë komod në qeverisje. Ministria për të cilën po flitet dhe që është temë kryesore është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Ne nuk mund ta japim këtë ministri sepse zotimet që i kemi pasur para elektoratit ka qenë edhe kjo ministri, e cila lidhet jashtëzakonisht shumë me temat që jemi zotuar para qytetarëve. Ato janë lufta kundër korrupsionit, forcimi i rendit dhe ligjit, konfiskimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme etj. Pra, këtë ministri ne e kemi numër një, sepse përmes kësaj ministrie do të vendosim rend dhe ligj në Republikën e Kosovës. Me këtë zotim kemi fituar votat e qytetarëve dhe ne nuk mund ta japim këtë ministri.
“Epoka e re”: Po ashtu, është thënë se çështja e postit të presidentit është pengesë në nënshkrimin e kësaj marrëveshje?
Bahtiri: Mendoj se në këtë kohë nuk është dashur të bisedohet fare për çështjen e presidentit të ardhshëm. Nuk është koha të bisedohet për këtë temë. Ne kemi një president që ka mandat dhe ai mund të shkarkohet vetëm nëse shkel Kushtetutën e Kosovës. Mendoj se në zgjedhjet e 6 tetorit kemi garuar para qytetarëve për t’i menaxhuar vendet e lira, postin e kryeministrit, të kryeparlamentarit, të zëvendëskryeministrave, të ministrave dhe të zëvendësministrave. Ne nuk e kemi kërkuar votën që ta menaxhojmë postin e kryetarit të Kosovës. Këtë çështje po e shoh pak të shpejtuar, sepse nuk është koha që posti i presidentit të diskutohet.
“Epoka e re”: Nëse LDK-ja heq dorë nga posti i presidenti, do të heqë dorë LV-ja nga Ministria e Punëve të Brendshme?
Bahtiri: Jo, asnjëherë. Ministria e Punëve të Brendshme është ministri që nuk ia japim askujt. Ne mund të shkojmë në zgjedhje, por këtë ministri nuk e japim. Nuk e japim sepse dalim para elektoratit tonë të tradhtuar. Pa këtë ministri nuk do të mund t’i realizojmë zotimet që i kemi premtuar.
“Epoka e re”: Pse mendoni se LDK-ja nuk bën ta udhëheqë këtë ministri?
Bahtiri: LDK-ja duhet ta dijë se më herët i ka pasur tre ministra që kanë drejtuar këtë ministri dhe nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Mua më çuditë fakti se pse kjo parti e kërkon këtë ministri kur ka edhe ministri të tjera në të cilat mund ta japë kontributin e vet.
“Epoka e re”: Me këto kundërshtime, sa jeni optimist se do të ndodhë koalicioni qeverisës LV-LDK?
Bahtiri: Mendoj se ky koalicion do të lidhet, sepse nuk ka alternativë tjetër. Për këtë jam shumë optimist, sepse s’ka zgjidhje tjetër. Mendoj se secila parti që bojkoton këtë mundësi që të bashkëqeverisim do të pësojë jashtëzakonisht shumë. Unë nuk dëshiroj që LDK-ja të pësojë prej një veprimi të tillë. Dëshiroj që ne të jemi partnerë të sinqertë dhe të punojmë shumë për t’i shtyrë përpara shumë gjëra që janë të nevojshme për Kosovën. Siç dihet, gjendja në Kosovë është keq dhe populli i Kosovës më 6 tetor ka votuar për ndryshim. Ne me njerëz të korruptuar nuk mund të veprojmë më tutje. Ju e dini se fillimi i proceseve gjyqësore nis nga Ministria e Punëve të Brendshme, prandaj ne e dëshirojmë këtë ministri.
“Epoka e re”: Nëse nuk ndodhë ky koalicion, a keni ndonjë partner tjetër për bashkëqeverisje?
Bahtiri: Mendoj se koalicioni do të ndodhë sepse është në interes të gjithë atyre që na kanë votuar dhe kanë besuar në LV-në dhe LDK-në. Ky koalicion është në interes të Kosovës. Jam i bindur se po të pyetet secili votues i LDK-së, secili do të thotë se kjo ministri duhet t’i jepet LV-së, sepse ne jemi të fuqishëm në këtë drejtim dhe kemi vullnet për forcimin e rendit dhe ligjit. Ne nuk do ta lëshojmë këtë ministri sepse kjo është pika kryesore e ndryshimit të gjendjes në Kosovë. Në këtë mënyrë nuk do të lejojmë që Albin Kurtin ta kemi kryeministër të dështuar. Ne dëshirojmë që bashkërisht me LDK-në ta kemi një qeverisje të suksesshme në mënyrë që të dalim faqebardhë para popullit.
Muhamet KOCI