Mundësi e artë për të përjetuar dy netë adrenalinën e filmave malorë dhe të aventurës nga e mbarë bota
Përgjatë programit dy-ditor të festivalit BANFF që shfaqet në Cineplexx Prishtina më 4 dhe 5 tetor në ora 19:00, shfaqen 16 filma të shkurtër dokumentar të cilët para publikut vendas sjellin adrenalinë, shpirtin sportiv, ekspedita nga destinacione të rralla, sporte ekstreme, ngjitje, vaprim, skijim, surf, paraglide dhe aventura tjera nga terrenet më sfiduese në botë.
Programi edhe sivjet ndahet në programin RED që shfaqë filmat me 4 tetor dhe atë Blue që e përmbyllë festivalin me 5 tetor. Festivali i Filmit të Maleve Banff sjellë për komunitetin tregime motivuese të sfidave të sportit nga e tërë bota. Qëllimi i programeve RED dhe BLUE është të shfaqë filma inspirues të atletëve të sporteve ekstreme, që mbushin audiencën me adrenalinë dhe bëjnë bashkë komunitetin e sporteve ekstreme ne vend.
“Ky është edicioni i tretë i Festivalit të Filmave Malor BANFF, edhe sivjet festivali ka për qëllim të inspirojë rininë Kosovare të mirret me aktivitete sportive, të motivojë ata ta ruajnë natyrën dhe ta shohin atë si pjesë të pandashme të aktivitetit sportiv.” – është shprehur Besnik Shala, Drejtori i Festivalit BANFF në Kosovë.
Kjo ngjarje kulturore, e artit, sportit dhe aventurës përkrahet nga Cineplexx Kosova, Swiss Development Corporation (SDC), Ambasada Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë, dhe RED BULL. Ky është viti i parë i organizimit të festivalit pa masa limituese të imponuara nga COVID-19.